Tifozi me pankartë të veçantë për Vojvodën: Çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar

  • 15 October 2019 - 10:36
Tifozi me pankartë të veçantë për Vojvodën: Çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar

Paraqitjet e Mërgim Vojvodës për ekipin kombëtar të Kosovës, por edhe deklaratat e tij qesharake, e kanë bërë drenicasin njëri ndër të preferuarit e tifozëve. Dje, një tifoz në “Fadil Vokrri” kishte përgatitur një pankartë të veçantë për të.

Mërgim Vojvoda ishte titullar në fitoren e mbrëmshme të Kosovës me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi në “Fadil Vokrri”. Ai luajti deri në minutën e 89-të të ndeshjes, kur u zëvendësua nga Edon Zhegrova.

Mbrojtësi i krahut të djathtë i Standard Liege ka pasur rol të madh në rrugëtimin e Kosovës drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020. Ai ka qenë titullar në të gjitha ndeshjes dhe ka kontribuar edhe me një gol.

“Çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar. EURO 2020 – Mërgim Vojvoda, jam krenar për ty, idhulli im”, shkruhet në pankartën e tifozit kosovar.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia.

(Kosova sot Online)