Reagon FFK-ja pasi Prokuroria filloi hetimet për biletat e Kosovës

  • 15 October 2019 - 11:19
Reagon FFK-ja pasi Prokuroria filloi hetimet për biletat e Kosovës

Pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se i ka filluar hetimet për shitjen ilegale të biletave të Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se i mbështet këto hetime.

Tifozët e Kosovës po e kanë të vështirë të blejnë bileta përmes sistemit online tiks.app, pasi që aty biletat po shiten për një kohë shumë të shkurtë. Megjithatë, shumë prej tyre po arrijnë të blejnë bileta përmes tregut të zi.

Biletat për ndeshjet e Kosovës shpeshherë janë gjetur duke u shitur nëpër faqe online me çmime shumë më të larta sesa çmimi origjinal i biletës. Kjo dukuri e ka nxitur Prokurorinë Speciale të Kosovës t’i nisë hetimet.

“Ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës”, theksoi zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, për Gazetën Express.

Federata e Futbollit e Kosovës i mbështet këto hetime dhe thotë se do të bashkëpunojnë në të gjitha mënyrat e mundshme për t’u ndihmuar hetuesve.

“Federata e Futbollit e Kosovës i mbështet të gjitha hetimet dhe do të bashkëpunojë në të gjitha mënyrat e mundshme për t’i ndihmuar hetimet për shitjen ilegale të biletave të Kosovës”, ka thënë Ademi për Gazetën Express.

I pyetur se çfarë masa të tjera mund të ndërmarrë FFK-ja për ta parandaluar shitjen e biletave për ndeshjen e Kosovës në tregun e zi, Ademi theksoi se nuk ka mënyrë më të sofistikuar sesa përmes sistemit online, për të cilin është përgjegjës tiks.app.

“Nuk ka asnjë sistem më të sofistikuar sesa ai online. Biletat printohen me emra dhe unë isha dëshmitarë që dje kundër Malit të Zi, pasi që UEFA e vlerësoi si ndeshje me rrezik të lartë, sigurimi i kontrolloi të gjitha njerëzit dhe biletat e tyre”, shkroi i pari i FFK-së.

FFK-ja është e gatshme të bashkëpunojë për ta parandaluar këtë dukuri, mirëpo thekson se numri i ulëseve në “Fadil Vokrri” bënë që jo të gjithë ata që duan bileta të mbeten të kënaqur pasi që biletat po shiten shumë shpejt. 

(Kosova Sot Online)