Hadërgjonaj: Ëndrra po vazhdon

  • 15 October 2019 - 14:10
Hadërgjonaj: Ëndrra po vazhdon

Florent Hadërgjonaj e ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke e shprehur gëzimin e tij për fitoren ndaj Malit të Zi. Njëherësh, futbollisti kosovar thotë se ëndrra e Kosovës për kualifikim në Euro 2020 vazhdon.

Përfaqësuesja e Kosovës e mposhti Malin e Zi me rezultat 2:0 pas një loje fantastike të shfaqur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë mbrëmë, shkruan media.

Golat e Amir Rrahmanit dhe Vedat Muriqit ia sollën tri pikë të vlefshme ekipit Verdhekaltër, të cilin e la në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020.

E në kualifikim në Evropian beson edhe Florent Hadërgjonaj, i cili bëri një lojë të shkëlqyeshme si mesfushor ofanziv i krahut të djathtë.

“Ëndrra vazhdon”, ka shkruar futbollisti i Huddersfieldit.

Kosova është e treta në Grupin A me 11 pikë të grumbulluara, një më pak se Republika Çeke.

“Dardanët” do të përballen pikërisht me çekët në muajin nëntor, në ndeshjen që mund të jetë përcaktuese për fatin e Kosovës.

Kjo e fundit megjithatë e ka në opsion edhe Ligën e Kombeve, përmes së cilës mund të kualifikohet në Euro 2020.

(Kosova Sot Online)