“Dardanët” i mbështesin hetimet e Prokurorisë, kërkojnë më shumë ulëse ne stadium

  • 15 October 2019 - 14:15
“Dardanët” i mbështesin hetimet e Prokurorisë, kërkojnë më shumë ulëse ne stadium

Pas raportimit të medias se Prokuroria Speciale e Kosovës i ka nisur hetimet për shitjen e biletave të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të “Dardanëve”, Lulzim Berishës, i cili thotë se grupi i tifozëve ultras të Kosovës i mbështesin këto hetime.

Tifozët e Kosovës po e kanë të vështirë të blejnë bileta përmes sistemit online tiks.app, pasi që aty biletat po shiten për një kohë shumë të shkurtë. Megjithatë, shumë prej tyre po arrijnë të blejnë bileta përmes tregut të zi, shkruan media.

Biletat për ndeshjet e Kosovës shpeshherë janë gjetur duke u shitur nëpër faqe online me çmime shumë më të larta sesa çmimi origjinal i biletës. Kjo dukuri e ka nxitur Prokurorinë Speciale të Kosovës t’i nisë hetimet.

Pasi në mbështetje të këtyre hetimeve doli Federata e Futbollit e Kosovës, tani hetimet i kanë përkrahur edhe “Dardanët”.

 “Kur ne ishim, ju na shajshi, kur ne e mbrojshum, ju na ofendojshi. Tash cka? Po nxitni kunder Dardaneve a? Niveli i lartë i civilizimit të tifozëve eshte per tu pasur zili nga e gjithë bota, kjo u vertetu shum moti, edhe mbrëmë e kjo vertetohet me se miri nga Uefa ku nuk marrim asnji vrejtje asnjëherë”, shkroi Berisha në profilin e tij në Facebook.

“P.S e mbështesim çdo hetim nga ana e Prokurorisë dhe ftojmë që edhe ata të iniciojnë që sa me parë të niset rritja e kapacitetit të Fadil Vokrrit”.

Edhe FFK-ja e konfirmoi se problemet me biletat po ndodhin për shkak se numri i ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri” është shumë i vogël në krahasim me numrin e madh të tifozëve që shfaqin dëshirën për ta përcjellë Kombëtaren kosovare nga afër.(Kosova Sot Online)