Publikohet fjalimi i Rejës në zhveshtore të Shqipërisë

  • 15 October 2019 - 14:37
Publikohet fjalimi i Rejës në zhveshtore të Shqipërisë

Trajneri Edy Reja ua mbajti një fjalim futbollistëve të ekipit kombëtar të Shqipërisë pas ndeshjes së mbrëmshme, ku Shqipëria, përkundër fitores 4:0, e humbi matematikisht mundësinë e kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020.

Përkundër që Shqipëria e ka të pamundur kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, djemtë e Edy Rejës mbrëmë i argëtuan tifozët shqiptare me një paraqitje mbresëlënëse.

Golat e shënuara nga Sokol Cikalleshi, Keidi Bare dhe Lorenc Trashi në pjesën e parë dhe pastaj goli i Rey Manajt në minutat e fundit të ndeshjes ia dhanë Kombëtares së Shqipërisë një fitore bindëse 4:0 në Moldavi.

Pas ndeshjes, trajneri Reja ua mbajti një fjalim në zhveshtore lojtarëve të Shqipërisë, duke tentuar t’ua ulë atyre zhgënjimin që s’arritën të kualifikohen në EURO 2020, pas kualifikimit historik në EURO 2016 që ishte arritur më parë.

“Pavarësisht se tifozët jua thërrasin emrin, jeni ju ata që e keni arritur të ndërtoni këtë grup kaq të mirë. Si ju, edhe stafi që punon mbas trajnerit. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj të gjithëve”, ka thënë Reja.

“Merita është vetëm e juaja. Unë kam 35 vite që e bëj këtë punë, nuk kam nevojë të marr merita apo të më lavdërojë dikush. Merita është gjithmonë e juaja sepse keni bërë një punë të shkëlqyer”.

“Nëse do kishim fituar ndaj Turqisë, do shkonim në Evropë. Duhet të kishim 4 pikë më shumë. 3 me Turqinë dhe 1 me Islandën. I kemi bërë të gjitha ndeshjet mjaft të mira, Turqisë i treguam se kush jemi, ndërsa Franca është Francë, nuk ka vend për diskutim. Kemi zemër”.

 

Fjala e trajnerit #Reja, pas fitores me Moldavinë.

Posted by Federata Shqiptare E Futbollit on Tuesday, October 15, 2019

(Kosova Sot Online)