Ronaldo, pasi e shënoi golin e 700-të në karrierë: Rekordet më ndjekin mua

  • 15 October 2019 - 15:07
Ronaldo, pasi e shënoi golin e 700-të në karrierë: Rekordet më ndjekin mua

Sulmuesi i Kombëtares së Portugalisë dhe Juventusit, Cristiano Ronaldo, insistoi se ai nuk është i fiksuar me thyerjen e rekordeve, pasi që këto gjëra i vijnë natyrshëm atij, pasi e shënoi golin e 700-të në karrierë.

Cristiano Ronaldo e shënoi golin e vetëm të Portugalisë nga pika e penalltisë gjatë disfatës me rezultat 2:1 kundër Ukrainës, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian, të hënën.

Ylli 34-vjeçar nuk gaboi nga 11-metërshi, pasi Taras Stepanenko u penalizua pasi që e preku topin me dorë brenda zonës së penalltisë. Megjithatë, kjo penallti nuk i mjaftoi Portugalisë, pasi që ata e pësuan disfatën e parë që nga Kupa e Botës 2018.

Humbja për Portugalisë në stadiumin “Olympic” ishte edhe e ëmbël edhe e ithët për Ronaldon, i cili tani është në mesin e pak lojtarëve që kanë arritur t’i regjistrojnë 700 gola në karrierën me klube dhe ekipin kombëtar.

“Jo të gjithë mund ta arrijnë këtë shifër. I falënderoj bashkëlojtarët e mi, kolegët e mi dhe trajnerët të cilët më kanë ndihmuar të bëhem lojtari që jam sot”, u shpreh Ronaldo, pas ndeshjes.

“Jam i zhgënjyer që nuk fituam, por jam krenar me skuadrën. Sa rekorde i kam? Nuk e di. Unë e shijoj momentin dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar ta arrijë këtë rekord mbresëlënës”.

“Rekordet vijnë natyrshëm – unë nuk i kërkoj, ato më ndjekin mua! Pa e pasur fiksim, ato vijnë natyrshëm”.

Ronaldo do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje me Kombëtaren e Portugalisë në kuadër të kampanjës kualifikuese për EURO 2020 në nëntor – kundër Lituanisë në shtëpi dhe pastaj si mysafire kundër Luksemburgut. 

(Kosova Sot Online)