Ambasadori britanik e gjerman të emocionuar me paraqitjen e Përfaqësueses së Kosovës

  • 15 October 2019 - 15:22
Ambasadori britanik e gjerman të emocionuar me paraqitjen e Përfaqësueses së Kosovës

Ambasadori britanik në Kosovë dhe ai gjerman kanë komentuar ndeshjen e djeshme të Përfaqësueses së Kosovës me atë të Malit të Zi, transmeton media.

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott është shprehur se ka qenë e shkëlqyeshme për të të shihte tifozët duke përkrahur ekipin e tyre me aq emocion, dhe se i ka pëlqyer atmosfera, pasi ishte hera e parë e tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, si dhe rezultati i lojës.

“Mbrëmë ishte hera e parë që kam shikuar Kosovën duke luajtur në stadium. Me të vërtetë më pëlqeu atmosfera dhe rezultati i lojës. Ishte e shkëlqyeshme të shihje tifozët duke përkrahur ekipin e tyre me aq emocion. I uroj ekipit të Kosovës suksese në rrugën e tyre në kualifikimin për Kampionatin Evropian.”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Ndërsa ai gjerman, Christian Heldt ka thënë se shpreson që përfaqësuesja e Kosovës të kalojë tutje në Euro 2020.

“Oooops, ata e bënë prapë, Kosova kundër Malit të Zi në ndeshjen për kualifikime për Euro2020, 2:0. Ju nuk mund t’i ndalni ata, thjesht mahnitës. Shpresoj që ekipi të vazhdoj tutje, ata e meritojnë. I lumtur gjithashtu të shohë reprezentues të lartë të DFB (Shoqata Gjermane e Futbollit) në këtë ndeshje, ata e njohin kualitetin”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)