Henderson kritikon trajnerin e Bullgarisë: Ai duhet të na kërkojë falje

  • 15 October 2019 - 15:32
Henderson kritikon trajnerin e Bullgarisë: Ai duhet të na kërkojë falje

Jordan Henderson e dëshiron një kërkimfalje nga Krasimir Balakov, pasi trajneri i Bullgarisë tha se tifozët e Kombëtares së tij nuk kishin bërë thirrje raciste gjatë disfatës 6:0 kundër Anglisë mbrëmë dhe i kritikoi tifozët anglezë për “sjelljen e pahijshme”.

Përballja e djeshme në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.

Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.

Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.

Trajneri i ekipit kombëtar, Krasimir Balakov, më vonë pretendoi se nuk kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste nga ana e tifozëve bullgarë dhe shtoi se kishin qenë tifozët e Anglisë ata që kishin shfaqur “sjellje të pahijshme”.

Megjithatë, tani pritet që Bullgaria të përballet me një dënim nga UEFA për incidentet e ndeshjes së mbrëmshme, pasi që edhe vetë Federata e Anglisë ka kërkuar që shtëpia e futbollit evropian të nisë hetime urgjente.

“Unë ia thashë disa fjalë trajnerit. Nuk është e pranueshme – diçka duhet të ndërmerret. Ai duhet të kërkojë falje tani, në emër të skuadrës dhe tifozëve. Ai e di se çfarë po ndodhte, por më pyeste mua se cili është problemi”, tha Henderson.

“Kur unë i tregova atij se çfarë po ndodhte, u trondita se si ai nuk e kuptonte, me të vërtetë. Shpresoj se ai do ta analizojë sërish këtë dhe të kërkojë falje sepse kushdo që po e shikonte ndeshjen mbeti i neveritur”.

Edhe presidenti i Federatës bullgare, Borislav Mihaylov, tha dje se ai i konsideronte akuzat ofenduese dhe poshtëruese, duke shtuar se kritikat në drejtim të tifozëve bullgarë ishin të padrejta.

Megjithatë, tani ka ndërhyrë kryeministri i Bullgarisë, Bokyo Borisov, i cili ka kërkuar ndryshim, duke e paralajmëruar Federatën e Futbollit vendore se nuk do të marrë asnjë financim deri në momentin kur disa figura të caktuara të largohen nga hierarkia.

Ministri i Sportit i Bullgarisë, Krasen Kralev, tha: “Para pak kohësh, kryeministri më thirri urgjentisht. Ju e dini se gjatë katër vjetëve të fundit, qeveria ka bërë shumë për ta zhvilluar futbollin bullgar”.

“Por, pas ngjarjeve të fundit, duke e pasur parasysh situatën e plotë të futbollit, kryeministri më ka urdhëruar që nga sot t’i suspendojë të gjitha lidhjet me Federatës, përfshirë këtu ato financiare, deri në dorëheqjen e Borislav Mihaylovit”. 

(Kosova Sot Online)