Ambasada e Zvicrës në Prishtinë: Kosovës dhe trajnerit Challandes u urojmë shumë suksese të tjera

  • 15 October 2019 - 18:30
Ambasada e Zvicrës në Prishtinë: Kosovës dhe trajnerit Challandes u urojmë shumë suksese të tjera

Ambasada e Zvicrës në Prishtinë i është gëzuar fitores së Kosovës 2:0 kundër Malit të Zi në një ndeshje kualifikuese të hënën në stadiumin Fadil Vokrri, duke i uruar asaj dhe trajnerit të saj zviceran Bernard Challandes suksese të mëtutjeshme.

Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi shënuan nga një herë në pjesën e parë, duke ia siguruar Kosovës fitoren e tretë në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2020, e cila e mban atë ende në garë për kualifikim.

Ambasada zvicerane në vend është e lumtur me triumfin e radhës të bashkëkombësit të vet në krye të kombëtares dardane.

“Urime ekipit kombëtar të Kosovës, i cili e arriti edhe një fitore tjetër dje. Ne i urojmë Kosovës dhe trajnerit Challandes shumë suksese të tjera”, shkroi në Facebook Ambasada e Zvicrës në Prishtinë.  

Kosova ende ka gjasa të mira për kualifikim, sepse ngel vetëm një pikë prapa vendit të dytë, Republikës së Çekisë, me të cilën do të përballet në ndeshjen e ardhshme, para se ta presë Anglinë në Fadil Vokrri në ndeshjen e fundit kualifikuese.

Dardanët do ta ketë gjithmonë një mundësi të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro 2020, edhe nëse nuk e arrin këtë përmes rrugës tradicionale, sepse është në play-off të Ligës së Kombeve ku e pret përballja me Maqedoninë Veriore në gjysmëfinale dhe një finale e mundshme me fituesin e çiftit tjetër gjysmëfinale mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. 


(Kosova Sot Online)