Pas skandalit në Bullgari, FIFA premton luftë më të ashpër kundër racizmit

  • 16 October 2019 - 08:57
Pas skandalit në Bullgari, FIFA premton luftë më të ashpër kundër racizmit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar për mënyra të reja, më të fuqishme dhe më efektive për ta larguar racizmin nga bota e futbollit, pas abuzimit që e përjetuan lojtarët e Anglisë në Bullgari.

UEFA e ka paditur Federatën e Futbollit të Bullgarisë për sjelljen raciste të tifozëve të saj gjatë disfatës me rezultat 6:0 në ndeshjen e “Tre Luanëve” kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Përballja e djeshme në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.

Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.

Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.

Megjithatë, tani pritet që Bullgaria të dënohet nga UEFA për incidentet e ndeshjes së mbrëmshme, për të cilat Federata e Futbollit e Bullgarisë nuk ka bërë shumë t’i parandalojë.

“Shumë herë ne themi se nuk ka vend për racizmin në futboll, por prapëseprapë ne çdo ditë përballemi me këtë problem në sportin tonë, ashtu siç ndodh edhe në shoqëri në përgjithësi”, ka thënë Infantino.

“U bëj thirrje të gjithë organeve qeverisëse të futbollit të na bashkohen dhe të mendojmë bashkë për mënyra të reja, më të fuqishme dhe më efektive për ta larguar racizmin nga bota e futbollit”.

“Si pikë fillestare, unë sugjeroj që të gjithë organizatorët e ndeshjeve t’u qëndrojnë besnik rregullave dhe t’i pezullojnë përjetësisht ata që janë fajtorë për sjellje raciste në ndeshjet e futbollit. FIFA pastaj mund t’i zbatoj këto pezullime në nivel ndërkombëtar”.

(Kosova Sot Online)