Trajneri i Anglisë paralajmëron Kosovën: Do të jemi më të fortë pas skandalit në Bullgari

  • 16 October 2019 - 09:58
Trajneri i Anglisë paralajmëron Kosovën: Do të jemi më të fortë pas skandalit në Bullgari

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, e ka lavdëruar reagimin e lojtarëve të tij ndaj thirrjeve raciste në Bullgari, duke thënë se ata janë bërë më të fortë nga ky incident për ndeshjet e radhës, ku përfshihet edhe ndeshja kundër Kosovës.

Anglia u mposht me rezultat 2:1 nga Republika Çeke të premten në kualifikimet për UERO 2020, duke ia vështirësuar kështu punën Kosovës për t’u kualifikuar nga Grupi A, përderisa të hënë u përball me tifozët racistë të Bullgarisë gjatë fitores 6:0.

Përballja e së hënës në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste. Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.

Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.

“Përgjigja e lojtarëve ndaj asaj që ndodhi ishte e shkëlqyeshme. Përqendrimi dhe përgatitja e tyre për ndeshjen ishte e shkëlqyeshme.  Kjo ishte plotësisht e ndryshme për të gjithë ata, por ne e dinim se sot do të fitonim shumë përvojë”, ka thënë Southgate.

“E them përsëri, përgjigja dhe përqendrimi i tyre, mënyra se si luajtën pas kohës kur u ndal ndeshja, ishte mbresëlënëse. Kështu që, çuditërisht, unë mendoj se ne kemi fituar përvojë nga kjo përvojë dhe do të jemi më të mirë. Por, lojtarët s’duhet të përballen me këto gjëra”.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Kjo detyrë është komplikuar nga disfata e Anglisë kundër Çekisë dhe tani Kosovës mund t’i duhet të paktën barazimi kundër Anglisë në ndeshjen që do të zhvillohet më 17 nëntor në “Fadil Vokrri”.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)