Mendes: Ronaldo është më i miri në histori dhe ende s’e kemi parë më të mirën e tij

  • 16 October 2019 - 10:45
Mendes: Ronaldo është më i miri në histori dhe ende s’e kemi parë më të mirën e tij

Pasi e shënoi golin e 700-të në karrierën me klube dhe ekipin kombëtar të Portugalisë, Cristiano Ronaldo është emëruar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve nga agjenti i tij, Jorge Mendes.

Sulmuesi i Juventusit e shënoi një tjetër arritje të madhe në karrierën e vet si sulmues të hënën, gjatë disfatës me rezultat 2:1 të Portugalisë kundër Ukrainës, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Pasi që e arriti edhe këtë rekord, Ronaldo u lavdërua nga agjenti i tij Mendes, i cili beson se 34-vjeçari portugez ende s’e ka shfaqur më të mirën e vet, përkundër që e konsideron lojtarin më të mirë në histori.

“Ai është më i miri ndonjëherë. Megjithatë, ende nuk e kemi parë më të mirën e tij dhe këtë do ta shohim me fanellën e Juventusit”, tha Mendes, në një intervistë të dhënë për Tuttusport.

“Numrat nuk gënjejnë, por e ndriçojnë mënyrën se si Ronaldo i ka thyer të gjitha rekordet, që e ngrenë atë në kategorinë e lojtarit më të mirë në histori të futbollit dhe me dallim të madh me futbollistin e dytë më të mirë në histori”.

“Ai është në këtë pozitë për shkak të gjithçkaje që ka arritur duke u shërbyer klubeve të tij – në Angli, Spanjë apo tani në Itali, por edhe me ekipin kombëtar. Fakti është se me Cristiano Ronaldon, Portugalia ka luajtur në tri finale, prej të cilave i fitoi dy”.

Humbja për Portugalisë në stadiumin “Olympic” ishte edhe e ëmbël edhe e ithët për Ronaldon, i cili tani është në mesin e pak lojtarëve që kanë arritur t’i regjistrojnë 700 gola në karrierën me klube dhe ekipin kombëtar.

“Jo të gjithë mund ta arrijnë këtë shifër. I falënderoj bashkëlojtarët e mi, kolegët e mi dhe trajnerët të cilët më kanë ndihmuar të bëhem lojtari që jam sot”, u shpreh Ronaldo, pas ndeshjes.

“Jam i zhgënjyer që nuk fituam, por jam krenar me skuadrën. Sa rekorde i kam? Nuk e di. Unë e shijoj momentin dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar ta arrijë këtë rekord mbresëlënës”.

“Rekordet vijnë natyrshëm – unë nuk i kërkoj, ato më ndjekin mua! Pa e pasur fiksim, ato vijnë natyrshëm”.

Ronaldo do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje me Kombëtaren e Portugalisë në kuadër të kampanjës kualifikuese për EURO 2020 në nëntor – kundër Lituanisë në shtëpi dhe pastaj si mysafire kundër Luksemburgut. 

(Kosova Sot Online)