Pritja mbresëlënëse e De Gea kundër Suedisë

  • 16 October 2019 - 10:46
Pritja mbresëlënëse e De Gea kundër Suedisë

Portieri i Kombëtares së Spanjës, David de Gea, e bëri një pritje mbresëlënëse për të mos ia lejuar Suedisë një gol me kokë gjatë ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Spanja është kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit 2020, pas barazimit 1:1 me Suedinë falë golit tejet të vonshëm të Rodrigos të martën në Stokholm, transmeton Gazeta Express.

Kombëtarja e Spanjës po humbte gjatë shumicës së ndeshjes në Friends Arena në Stoklohm, por sulmuesi Rodrigo shënoi për rezultatin përfundimtar në minutën e 90+2, duke e barazuar rezultatin pas golit të Suedisë në minutën e 50-të, përmes Marcus Bergut.

Megjithatë, vëmendjen në këtë ndeshje e mori portieri 28-vjeçar i Manchester Unitedit, i cili që nga fundi i sezonit të kaluar të Premierligës është kritikuar për paraqitjet.  Megjithatë, ai e dëshmoi se është ende njëri ndër portierët më të mirë në botë me një pritje mbresëlënëse.

Kur rezultati i ndeshjes ishte ende 0:0, në minutën e 31-të ndeshjes, mbrojtësi anësor i Suedisë, Mikael Lustig, e bëri një harkim të mirë në zonën e portierit, ku e gjeti Robin Quaisonin.

Sulmuesi i Mainzit arriti ta godasë topin e harkuar fuqishëm me kokë, mirëpo portieri i Spanjës e shpëtoi skuadrën e tij duke e bërë një pritje mbresëlënëse.

Suedia mbetet në garë për kualifikim sepse renditet e dyta me një pikë më shumë se Rumania, me të cilën përballet në ndeshje e ardhshme, të parafundit në Grupin F.

(Kosova Sot Online)