Guardiola shpjegon pse e quan Messin gjeni të futbollit

  • 16 October 2019 - 11:45
Guardiola shpjegon pse e quan Messin gjeni të futbollit

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka arsyetuar mendimin e tij se Lionel Messi është gjeni i futbollit, duke i dhënë disa shembuj për të sqaruar se pse e vlerëson kaq shumë kapitenin argjentinas të Barcelonës.

Spanjolli 48-vjeçar kishte qenë dëshmitar i paraqitjeve mbresëlënëse të Lionel Messit gjatë kohës sa ishte në Barcelona, ku kishte arritur ta përdorte argjentinasin në pozitën e “nëntëshit të rremë” për të bashkëpunuar më shumë me Xavin dhe Andres Iniestan.

Gjatë dokumentarit të prodhuar nga Amazon Prime, “This Is Football”, Guardiola e sqaron pse 32-vjeçari i ka arritur të gjitha sukseset në karrierën e tij dhe pse konsiderohet gjeni i futbollit.

“Ai nuk qëndron mënjanë në fillim të ndeshjes, rri i përfshirë në gjithçka. Në anën e djathtë, në anën e majtë, në anën e majtë e në anën e djathtë”, u shpreh Guardiola.

“Ai e nuhat se kush është më i dobëti në vijën e mbrojtjes. Pas pesë apo dhjetë minutave të para të ndeshjes, ai e krijon një lloj harte në kokën e tij”.

“Ai e di se nëse lëviz këtu apo aty në fushë, do të ketë më shumë hapësirë për të sulmuar. Kjo është diçka që e bëjnë gjenitë. Me të vërtetë është e mrekullueshme. Ne po jetojmë në të njëjtën kohë me të, kështu që shijojeni. Lionel Messi, thjesht unik”.

Vitin e kaluar, Messi e pranoi se ai do ta mirëpriste idenë e ribashkimin me ish-trajnerin e Barcelonës, Guardiolën.

“Edhe pse është e vështirë, do të më pëlqente të punoja sërish me Guardiolën. Ai është njëri ndër trajnerët më të mirë në botë”, kishte thënë Messi.

“Është e rëndësishme të kesh besim te djemtë nëpër akademi. Ata e shohim se është e mundur ta bësh kalimin nga akademia te ekipi i parë. Por, ne e kemi një akademi të mrekullueshme dhe në të ardhmen mund të luajmë me 11 lojtarë të akademisë, por do të na duhet kohë”.

(Kosova Sot Online)