Messi shpërblehet me Këpucën e Artë për herë të gjashtë

  • 16 October 2019 - 14:24
Messi shpërblehet me Këpucën e Artë për herë të gjashtë

Lionel Messi e ka thyer rekordin duke e fituar Këpucën e Artë për herë të gjashtë në karrierë, për herë të tretë radhazi, përderisa rivali i tij Cristiano Ronaldo e ka fituar këtë çmim katër herë.

Me Këpucën e Artë shpërblehet çdo sezon futbollisti me më së shumti gola të shënuar në top ligat e Evropës dhe të mërkurën, në Barcelonë, argjentinasi Lionel Messi e fitoi këtë çmim për herë të gjashtë në karrierë.

Ylli dhe kapiteni i Barcelonës i shënoi 36 gola në vetëm 34 ndeshje të zhvilluara në shtëpi gjatë sezonit 2018/19 – gjithsej 51 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat – përderisa katalonasit arritën ta fitojnë titullin e La Ligës.

Argjentinasi e mbylli sezonin e kaluar me tri gola më shumë sesa Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit dhe arriti ta fitojë këtë çmim për të tretën herë radhazi, përderisa bashkëlojtari i tij Luis Suarez e kishte fituar atë në sezonin 2015/16.

Messi e fitoi këtë çmim për herë të parë në sezonin 2009/10 dhe tani ka arritur t’i grumbullojë dy më shumë sesa Ronaldo, i cili është personi i fundit që e ka fituar këtë çmim jashtë La Ligës (e kishte fituar me Manchester Unitedin gjatë sezonit 2007/08).

Messi do të shpresojë se do të vazhdojë të triumfojë në garën për çmimet individuale edhe më tutje këtë sezon, pasi që në fund të vitit jepet çmimi prestigjioz “Topi i Artë”, që i jepet lojtarit më të mirë të vitit.

Përderisa Lionel Messi e ka fituar këtë vit çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA, Virgil Van Dijku e fitoi këtë çmim nga UEFA. Për këtë arsye, kjo dyshe dhe Cristiano Ronaldo janë në garë të zjarrtë për ta marrë “Topin e Artë” në fund të vitit.

Për Messin, që tani i ka dy Këpuca të Arta më shumë sesa Ronaldo, Topi i Artë i këtij viti do të ishte gjithashtu i gjashti dhe ai do ta linte prapa vetes Ronaldos, i cili gjithashtu aktualisht i ka pesë të tillë.

(Kosova Sot Online)