Real Madrid, kundër zhvendosjes së “El Clasicos” në Santiago Bernabeu

  • 16 October 2019 - 15:41
Real Madrid, kundër zhvendosjes së “El Clasicos” në Santiago Bernabeu

Drejtuesit e Real Madridit kanë thënë se ndryshimi i rendit të ndeshjeve do ta ndikonte rrjedhën e ligës. Për këtë arsye, Real Madridi është i hapur ndaj idesë për ta zhvilluar ndeshjen në një datë tjetër, por jo për ta zhvendosur atë nga “Camp Nou” në “Santiago Bernabeu”.

Real Madridi nuk ka lëshuar ende deklaratë zyrtare sa i përket kërkesës së La Liga për ta zhvendosur përballjen e tyre me Barcelonën, më 26 tetor, nga “Camp Nou” në “Santiago Bernabeu”, shkaku i protestave në Katalonjë. Mirëpo, burimet e AS brenda klubit madrilen bëjnë të ditur se drejtuesve të klubit s’u pëlqen kjo ide.

Së pari, Real Madridi beson se nëse ndryshohet renditja (kërkesa e La Ligës është që më 26 tetor “El Clasico” të zhvillohet në Santiago Bernabeu e më 1 mars në Camp Nou, përkundër që në fillim ishte planifikuar në të kundërtën) do t’i ndikonte edhe klubet e tjera dhe garën në La Liga këtë sezon.

Real Madridi për momentin e mban kreun e La Ligës me dy pikë më shumë sesa Barcelonës. Humbja e epërsisë së të qenët vendas mund të ndikojë negativisht te kampionia në fuqi e Spanjës.

Burimet e njëjta kanë thënë për AS se zhvendosja e ndeshjes do t’i pengonte punimet për rinovimin e “Santiago Bernabeut”.

Bordi i “Los Blancos” është megjithatë i gatshëm që ndeshja të shtyhet për një datë tjetër, për shkak të situatës serioze në Katalonjë, pas dënimit me nëntë deri në 13 vjet burgim të liderëve politikë që ishin përfshirë në referendumin për pavarësimin e Katalonjës në vitin 2017 dhe shpalljen e pavarësisë nga Spanja.

Besohet se Real Madridi do ta refuzojë çfarëdo marrëveshje ku planifikohet që ndeshja të zhvillohet jashtë “Camp Nou”.

(Kosova Sot Online)