Menaxheri i Ronaldos: Cristiano do ta kalojë Pelen, është më i miri në histori

  • 16 October 2019 - 21:16
Menaxheri i Ronaldos: Cristiano do ta kalojë Pelen, është më i miri në histori

Cristiano Ronaldo do ta kalojë legjendën braziliane Pele si golashënuesi më i mirë në histori të futbollit, sipas menaxherit të sulmuesit portugez, Jorge Mendes,

Kapiteni i Portugalisë Ronaldo e shënoi golin e 700-të në karrierë të hënën në humbjen e ekipit të tij kombëtar 2:1 kundër Ukrainës në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 dhe Mendes e ripërsëriti besimin se klienti i tij është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve.

“Statistikat e tij nuk gënjejnë dhe e shfaqin mënyrën e jashtëzakonshme sesi Cristiano Ronaldo i thyen rekordet, të cilat e bëjnë atë lojtarin më të mirë në histori të futbollit, me një dallim të madh krahasuar me të dytin, për shkak të gjitha arritjeve me klube të ndryshme, qoftë në Angli, Spanjë apo tani në Itali, si dhe me ekipin kombëtar portugez”, tha Mendes.

Sipas Rec.Sport.Soccer, Ronaldo është i gjashti në listën e golashënuesve më të mirë në histori të futbollit, duke ngelur 67 gola prapa të madhit Pele, edhe pse i ka luajtur 179 ndeshje më shumë se braziliani.

I pari në listë është sulmuesi çeko-austriak Josef Bican, i cili i ka shënuar 805 gola në 530 ndeshje nga viti 1931 deri më 1955.

“Ronaldo e ka arritur golin e 700-të dhe nuk kam dyshim se do ta kalojë Pelen si golashënuesi më i mirë në histori të futbollit dhe këtë do ta bëjë me Juventusin”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)