Rrëfehet Messi, u përgjigjet pyetjeve të ndryshme personale

  • 17 October 2019 - 10:08
Rrëfehet Messi, u përgjigjet pyetjeve të ndryshme personale

Lionel Messi është rrëfyer për gjërat më personale të mundshme, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme të dërguara nga fëmijët nga e gjithë Spanja, pasi e mori çmimin “Këpuca e Artë” për herë të gjashtë rekorde në karrierë të mërkurën.

Ylli dhe kapiteni i Barcelonës Messi i shënoi 36 gola në vetëm 34 ndeshje të zhvilluara në ligë gjatë sezonit 2018/19 – gjithsej 51 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat – përderisa katalonasit arritën ta fitojnë titullin e La Ligës.

I pyetur nëse fle shumë, Messi u përgjigj duke bërë shaka: “Jam i shkathët me jastëkun, i jap shumë rëndësi, por kur vjen koha për të fjetur, pranë meje mund të kalojë një kamion dhe unë nuk dëgjoj asnjë”.

Ndërsa, i pyetur rreth dietës, Messi tha: “I jap shumë rëndësi. Është me rëndësi të hash mirë. Djemtë e mi e kanë të vështirë të hanë perime si të tjerët. Thiago ha, Mateo…”, qeshi Messi, pasi Mateo bëri gjeste qesharake me duar.

“Zakonisht unë jam i keqi, jo nëna e tyre. Nganjëherë ata e meritojnë. Shumë herë e meritojnë. I vëzhgoj nga afër, nganjëherë shumë, ama e meritojnë”, tha superylli argjentinas i pyetur nëse është i rreptë me fëmijët e vet.

Messi tha se nuk i bën shumë për modën, pas pyetjes për stilin e veshjes.

“Varet se çfarë dite është. Ndihem më rehat me tuta por edhe në xhinse. Kostumi është vetëm për raste të veçanta”, përfundoi Messi.

(Kosova Sot Online )