Është 29 vjeç, por Juventusi nuk e lëshon deri më 2024

  • 17 October 2019 - 12:00
Është 29 vjeç, por Juventusi nuk e lëshon deri më 2024

Të gjitha rrugët çojnë në zgjatjen e kontratës. Nga njëra anë, Juventusi. Nga ana tjetër, Wojciech Szczesny. “Martesa” midis bardhezinjve dhe portierit polak, në fakt, është e destinuar të zgjatet për një kohë të gjatë. E thënë shkurt, në mendjen e Fabio Paratici nuk janë vetëm rinovimet e Juan Cuadrado dhe Blaise Matuidi, por edhe kontrata e re e 29-vjeçarit nga Varshava. Szczesny pritet të mbetet bardhezi deri në vitin 2024.

Një veprim pothuajse i përmbyllur, duke marrë parasysh kontributin e portierit, i vlerësuar shumë nga klubi dhe shokët e tij. 

Pra, për të larguar të interesuarit e mundshëm, marrëveshja aktuale deri më 2021 pritet të zgjatet në kohë edhe tri vite të tjera. Szczesny, i cili aktualisht fiton rreth 3.5 milionë euro (neto) në vit, do të ketë një rritje të vogël rroge. Në fund të fundit, duket një pagë e përshtatshme për cilësitë e një lojtari gjithnjë e më shumë në qendër të projektit të Juventusit.

(Kosova Sot Online)