Trajneri i Shqipërisë U-21 sqaron festimet pas fitores kundër Kosovës

  • 17 October 2019 - 13:31
Trajneri i Shqipërisë U-21 sqaron festimet pas fitores kundër Kosovës

Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka thënë se festimet e lojtarëve të tij pas fitores kundër Kosovës janë normale, duke theksuar se ai feston edhe kur e mposht vëllain e vet.

Shqipëria U21 i ia shkaktoi humbjen e dytë radhazi kombëtares motër U21 të Kosovës, duke ia vështirësuar punët për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2021.

Goli i vonshëm i futbollistit të talentuar të Ballkanit, Blendi Baftiu, nuk mundi t’ia parandalojë Kosovës disfatën në Grupin 3 kualifikues, pasi dy golat e Shaqir Tafës dhe Arbnor Mucollit i mjaftuan Shqipërisë për ta arritur fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese të martën në Elbasan.

Kuqezinjtë e merituan fitoren – të cilën po e kërkonin që pesë ndeshje –  sipas lojës që shfaqen në fushë  – por festimi i tyre në zhveshtore ishte habitës. Kjo për shkak se gjasat e kuqezinjve janë pothuajse zero për kualifikim pas pesë ndeshjeve dhe me Kosovën në rrugë të mirë për ta arritur kualifikimin.

Videon e publikoi Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo nxiti kritika të ashpra dhe një debat mes dy palëve. Por, sipas Bushit, festimet ishin normale.

“Natyrisht, ishte emocionuese të luanim kundër Kosovës, por futbolli ka adrenalinë. Edhe kur luaj vetë kalçeto, kundër vëllait tim, unë festoj nëse fitoj”, ka thënë trajneri i Shqipërisë U-21.

“Pra, nuk ka vend për paragjykime e diskutime, se pse e festuam fitoren ndaj Kosovës. Ne nuk thamë asgjë për festimet e Kosovës, pasi mundi Shqipërinë 3-0 në atë miqësore të luajtur në Zvicër. Kjo ishte hera e parë, që nuk bëja tifo për Kosovën”.

“Natyrisht, doja të fitonte skuadra ime, por kjo nuk do të thotë se jam kundër Kosovës. Ne kishim më shumë raste se Kosova. Shkonim me pasime të shkurtra te porta e kundërshtarit, por njëkohësisht edhe duke përdorur Brojën si pikë e fortë”.

Kjo humbje nënkupton se Kombëtarja dardane tani ngel një pikë prapa vendit të dytë, Anglisë që i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe katër prapa lideres, Austrisë.

Shqipëria grumbullon pesë pikë tani dhe i afrohet Kosovës në vetëm një pikë, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Kosova do të jetë nikoqire e Shqipërisë në ndeshjen kthyese në fillim të vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot Online )