Valverde: Nuk kam asnjë dyshim që El Clasico do të zhvillohet më 26 tetor pa asnjë problem

  • 18 October 2019 - 09:22
Valverde: Nuk kam asnjë dyshim që El Clasico do të zhvillohet më 26 tetor pa asnjë problem

Ernesto Valverde mendon se El Clasico e ardhshme mes Barcelonës dhe Real Madridit do të zhvillohet ashtu siç është caktuar më 26 tetor, pavarësisht frikës për sigurinë.

Trazirat e tanishme në Kataluni kanë ngjallur shqetësime nëse ndeshja mund të zhvillohet në Camp Nou, me drejtuesit e La Ligas që kanë kërkuar ndryshimin e datës së zhvillimit ose vendin, por të dy klubet kanë refuzuar diçka të tillë. Sidoqoftë, Valverde shprehu një këndvështrim më pozitiv për situatën gjatë konferencës së tij për shtyp duke thënë se ndeshja do të zhvillohet siç është paraparë. “Është planifikuar për 26 tetor dhe nuk kam asnjë dyshim se do të zhvillohet pa probleme, duke respektuar kundërshtarët dhe gjithë të tjerët të përfshirë”, ka thënë fillimisht ai.

“Unë nuk e di se çfarë vendimi do të marrë Federata Spanjolle e futbollit. Ne do të bëjmë gjithçka që është vendosur”.Valverde iu referua një skenari të ngjashëm dy vjet më parë për të mbështetur arsyen se pse ai mendon se loja mund të mbahet siç ishte planifikuar për herë të parë. “Kanë mbetur nëntë ditë deri në ndeshje dhe për momentin ka shumë bisedime”.

“E njëjta gjë u tha rreth 1 tetorit 2017 [data e referendumit të Katalunisë] dhe një javë më vonë ne luajtëm në Wanda Metropolitano ku të gjithë prisnin një ngjarje dramatike dhe ajo përfundoi si një lojë e shkëlqyeshme ku njerëzit u shprehën pa problem”.

“Ka hapësirë ëpër të manovruar. Nëse ndeshja do të ishte nesër, atëherë ndoshta nuk do të zhvillohej, por ka ende edhe nëntë ditë për të kaluar”, përfundoi spanjolli. 

(Kosova Sot Online )