Takohen Zidane dhe Pogba, nxitin spekulimet për transferim

  • 18 October 2019 - 10:12
Takohen Zidane dhe Pogba, nxitin spekulimet për transferim

Pasi e kaloi të gjithë verën duke tentuar ta transferojë Paul Pogban në Real Madrid, trajneri Zinedine Zidane e pati mundësinë ta takojë mesfushorin francez të Manchester Unitedit në Dubai.

Trajneri francez është në qytetin arab pasi që po merr pjesë në një konferencë për inteligjencën artificiale, përderisa bashkëkombësi i tij ka udhëtuar atje për ta vazhduar procesin rikuperues nga lëndimi i kyçit të këmbës.

E përditshmja britanike, The Daily Mirror, e publikoi një fotografi të dyshesh Zidane-Pogba duke e bërë një bisedë, përderisa po qëndronin afër një pishine. Kjo fotografi i ka nxitur spekulimet për transferimin e mundshëm të Pogbas te “Los Blancos” në të ardhmen.

Zidane kishte tentuar ta transferojë Pogban gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo Manchester Unitedi i rezistoi interesimit të madrilenëve për mesfushorin, duke insistuar se 26-vjeçari nuk është në shitje.

Agjenti kontrovers i Pogbas, Mino Raiola, e bëri të ditur dëshirën e Pogbas për t’u larguar nga Manchester Unitedi, ndërsa edhe vetë futbollisti e pranoi se mund të ketë ardhur koha që ai ta provojë një sfidë të re në karrierë.

Mirëpo, Manchester Unitedi e mbajti qëndrimin e prerë se s’do t’ia shesë Pogbas as Real Madridin a as ndonjë klubi tjetër, pasi që francezi i ka edhe dy vjet në kontratën e tij, përderisa klubi mund t’ia zgjasë kontratën edhe për një vit shtesë. 

(Kosova Sot Online)