Pasojat e shtyrjes së El Clasicos

  • 18 October 2019 - 10:15
Pasojat e shtyrjes së El Clasicos

Edhe pse ende mungon një konfirmim zyrtar, derbi i parë i sezonit mes Barcelonës dhe Real Madridit pritet të shtyhet për në dhjetor.

Përderisa vendimi përfundimtar nuk është marrë ende – La Liga do t’i takohë dy klubet të hënën për ta vendosur datën e re të “El Clasicos” – 18 dhjetori u përshtatet të dyja klubeve më së miri, përkundër që bie ndesh me ndeshjet e Kupës së Mbretit.

Për më tepër, dy klubet duhet të luajnë ndeshje vendimtare para se ta zhvillojnë “El Clasicon”, pasi që ndeshjet e xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve do të zhvillohen vetëm tetë ditë para datës së sugjeruar për “El Clasico”.

Ndërkohë, Real Madridi dhe Barcelona do të marrin pjesë edhe në Superkupën e Spanjës, që do ta ketë një format të ri këtë sezon. Fituesi do të shpallet përmes gjysmëfinaleve dhe një finaleje, që do të zhvillohen në fillim të vitit të ri kalendarik.

Barcelona

Skuadra e Ernesto Valverdes do ta vizitojë Interin më 10 dhjetor para se të luajë në “Reale Arena” kundër Real Sociedad pesë ditë më vonë, që do të ishte vetëm tre ditë para derbit.

Ndeshja e fundit e Barcelonës për atë vit do të zhvillohet në “Camp Nou” kundër Alaves, përderisa 2020-ta do të nisë me derbin katalonas në Espanyol.

Pas kësaj vjen Superkupa e Spanjës, ku do të marrin pjesë Blaugranët, Los Blancos, Atletico Madridi dhe Valencia.

Real Madrid

Skuadra e Zinedine Zidane do të luajë kundër Club Brugge më 11 dhjetor dhe një vizitë në Mestalla vjen pas kësaj, katër ditë më vonë. Para se të përfundojë viti 2019, ata do të përballen me Athletic Club në “Santiago Bernabeu”.

Në fillim të vitit 2020, ata do të udhëtojnë në Getafe e pastaj do të marrin pjesë në Superkupën e Spanjës, që mund të zhvillohet në Arabinë Suadite.

(Kosova Sot Online)