Solskjaer s’i frikësohet shkarkimit nga Man Unitedi

  • 18 October 2019 - 12:52
Solskjaer s’i frikësohet shkarkimit nga Man Unitedi

Ole Gunnar Solskjaer po planifikon për dy afatet e ardhshme kalimtare në Manchester United, pasi që trajneri i “Djajve të kuq” nuk ka asnjë dyshim se ai mund të shkarkohet nga posti i tij në “Old Trafford”.

Mediat britanike kanë sugjeruar gjatë kohës së fundit se trajneri norvegjez mund të jetë në luftë për ta shpëtuar vendin e tij në karrigen e trajnerit, pasi që nga ai kërkohen rezultate më të mira.

Fituesi i tripletës së vitit 1999 me Manchester Unitedin thotë se tani klubi është duke bërë plane afatgjate për të ardhmen dhe thotë se disa vendime që janë marrë në të kaluarën në këtë klub po ndikojnë në të tashmen.

Ai beson se bordi drejtues i Manchester Unitedit është plotësisht përkrahës ndaj tij, pasi që edhe vetë drejtori ekzekutiv Ed Woodward ka lënë të kuptohet një gjë e tillë.

Kur u pyet për pozitën e tij dhe dyshimet që janë hedhur drejt tij, Solskjaer tha: “Unë kam folur me Edin shumë herë dhe ne flasim rregullisht. Kemi biseduar kaq shumë herë!”

“Ne e kemi një plan dhe i kemi marrë disa vendime që mund të na dëmtojnë tani për momentin, mirëpo që janë më të mira në planin afatgjatë dhe do të përfitojmë nga ato. Dhe kjo është e gjitha pjesë e planit”.

“Por, tani rezultatet janë gjëja kryesore dhe mund të ecim përpara më shpejt me rezultate dhe paraqitje. Jam i sigurt se do të arrijmë aty. Por, tashmë jemi duke planifikuar për afatin kalimtar të janarit dhe afatin kalimtar të verës”.

“Unë kurrë s’kam ndier se kjo punë është shumë e madhe për mua dhe kam besim në atë që po bëjmë unë dhe stafi im”. 

(Kosova Sot Online)