Man City hyn në garë për Haalandin 50 milionësh

  • 18 October 2019 - 13:20
Man City hyn në garë për Haalandin 50 milionësh

Manchester City i është bashkuar listës që klubeve gjigante të Evropës, që vazhdimisht po rritet, duke shprehur interesimin për yllin e talentuar të Red Bull Salzburgut, Erling Haalandin.

Sulmuesi norvegjez është në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha të Evropës, pasi që e ka nisur sezonin e ri me formë mbresëlënëse, duke arritur t’i shënojë 18 gola nga 11 ndeshjet e para.

19-vjeçari kërkohet gjithashtu nga Real Madridi, Barcelona dhe Manchester Unitedi mes të tjerash.

Së fundi, kësaj gare i është bashkuar edhe Manchester City, të cilët i kishin dërguar disa skautë për ta vëzhguar sulmuesin në ndeshjen kundër Liverpoolit, që u zhvillua në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Ai shënoi në atë ndeshje dramatike që përfundoi me rezultat 4:3 në favor të skuadrës së Jurgen Kloppit.

Haaland mori vlerësime të mëdha në Kupën e Botës U-20 këtë verë, kur theu rekord duke i shënuar nëntë gola në një ndeshje të vetme.

Salzburgu raportohet se i kërkon rreth 50 milionë funte për Haalandin dhe është i gatshëm ta shesë futbollistin e ri qysh në afatin kalimtar të janarit.

Haaland është përfolur që një kohë të gjatë për një largim të mundshëm nga Salzburgu, por së fundi ai i quajti “gjepura të kota” spekulimet se ai të kalojë te Manchester United.

(Kosova Sot Online)