Skuadra vendase proteston në fushë duke mos lëvizur, kundërshtari i shënon gola si në stërvitje

  • 19 October 2019 - 12:52
Skuadra vendase proteston në fushë duke mos lëvizur, kundërshtari i shënon gola si në stërvitje

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në elitën e futbollit meksikan.

Skuadra e madhe meksikane Tigres ka marrë një fitore më të lehtë se që është pritur në udhëtim te Veracruz. Në fakt vendasit ia kanë mundësuar fitoren mysafirëve, pas një proteste që e kanë bërë në fushë.

Futbollistët e Veracruz kishin vendosur ta bojkotonin ndeshjen, por ishte federata e futbollit meksikan që i kërcënoi me përjashtim.

Krejt kjo për shkak të borxhit që klubi ka ndaj tyre, pasi kanë disa muaj pa u paguar. Stafi teknik së bashku me futbollistët kishin zgjedhur një mënyrë tjetër për të protestuar ndaj drejtuesve të klubit, duke dalë në fushë dhe duke mos lëvizur.

Kësisoj Tigres shënuan dy gola të lehtë nga largësia me Eduardo Vargas dhe francezin Gignac.

Pas pesë minutash protestë, futbollistët vendas filluan të luanin, por nuk arritën të bëjnë më shumë se të shënojnë golin e nderit në humbjen 1-3.

Kjo protestë e futbollistëve të Veracruz ka bërë bujë të madhe në gjithë botën. 

(Kosova Sot Online)