Kjo është e shtuna e Superiores “flakë”, 4 ndeshje për të mos u humbur

  • 19 October 2019 - 13:08
Kjo është e shtuna e Superiores “flakë”, 4 ndeshje për të mos u humbur

4 sfida, njëra më e bukur se tjetra. Do të jetë  një e shtunë shumë e ngjeshur ajo e Kategorisë Superiore pasi java e 8-të luan sot 4 takimet e mbetura që nuk duhen humbur.

Në orën 14:00 Luftëtari pret në shtëpi surprizën e këtij sezoni Bylisin, me ballshiotët që do të tentojnë të fitojnë edhe në Gjirokastër për të ruajtur kreun e klasifikimit.

Megjithatë vëmendja më e madhe do të jetë te 3 sfidat e orës 17:00. Në Korçë Skënderbeu pret Kukësin në një duel shumë të zjarrtë, kjo për faktin pasi këto dy skuadra kanë diktuar ritmin e kampionatit në vitet e fundit dhe kanë patur një rivalitet të ashpër për kreun.

Në Shkodër në stadiumin Loro Boriçi mes entuziazmit të tifozëve, Vllaznia që ka bërë shumë mirë në këtë kampionat pret kampionët në fuqi të Partizanit.

Skuadra e Franco Lerdës do të përpiqet të tregojë veten dhe të japë një sinjal se edhe në këtë sezon është një kandidate e fortë për të mbrojtur titullin, ndërkohë që Vllaznia do të kërkojë të surprizojë edhe Partizanin ashtu siç bëri me Kukësin.

Në të njëjtën orë po në 17:00 në kryeqytet, Tirana pas 3 rezultateve jo të mira do të kërkojë të bëjë kthesën ndaj Laçit në Selman Stërmasi.

Kurbinasit gjithashtu nuk po kalojnë një moment të mirë dhe ndaj Tiranës debuton edhe trajneri i ri Armando Cungu i cili eksperiencën e tij të dytë në stolin e Laçit do të kërkojë ta nisë me një rezultat pozitiv.

(Kosova Sot Online )