Barça fiton me lehtësi falë treshes Messi-Suarez-Griezmann, ia bëjnë sefte së bashku

  • 19 October 2019 - 15:06
Barça fiton me lehtësi falë treshes Messi-Suarez-Griezmann, ia bëjnë sefte së bashku

Barcelona ka rrëmbyer pikët e plota në xhiron e nëntë në La Liga, duke e mposhtur 3-0 Eibarin. Messi, Suarez dhe Griezmann – që të tre lanë gjurmë në këtë takim, që bëri që Barça të rrëmbejë kreun e La Ligës me 19 pikë, një më shumë se Reali që sonte luan në udhëtim te Mallorca.

Barcelona është treguar e fortë për Eibarin, duke triumfuar me rezultat të pastër, 3-0.

Në këtë ndeshje janë duke shkëlqyer treshja e sulmit; Lionel Messi, Luis Suarez dhe Antoine Griezmann, e njohur si MSG.

Kurse Messi e Griezmann, përveç golave – dhuruan edhe asiste.

I pari e gjeti golin Antoine Griezmann, në minutën e 13-të.

Ai shënoi pas një topi të mrekullueshëm nga ana e Clement Lenglet.

Për golin e dytë u përkujdes Messi. 32-vjeçari i Barcelonës shënoi në minutën e 58-të, pas një asisti të mrekullueshëm nga ana e Antoine Griezmann dhe pas kombinimit të bukur të treshes, Messi-Suarez-Griezman.

Për t’u kompletuar me gola treshja MSG, ishte radha për Suarez, që shënoi për 3-0 në minutën e 66-të.

Ai realizoi pas një loje fantastike të Messit që tregoi edhe njëherë në fushë atë që gjithmonë e thotë jashtë fushe “nuk më interesojnë gjërat individuale, por ato ekipore”.

Ai ishte pothuajse i vetëm dhe kishte shansin të shënojë, apo të paktën të tentojë të shënojë për 3-0, por e priti Suarezin dhe dhuroi asist fantastik, ky i fundit kishte vetëm për ta dërguar në portë dhe e bëri atë.

Kështu, për herë të parë në një ndeshje – shënojnë treshja sulmues; Messi-Suarez-Griezmann.

Kjo fitore e dërgon Barcelonën në kreun e La Ligës me 19 pikë, një më shumë se Real Madridi që sonte luan në udhëtim me Mallorcan.

(Kosova Sot Online)