Pioli jep kushtrimin: Jemi Milani, kemi vlera. Duhet t’i shfaqim ato

  • 19 October 2019 - 17:52
Pioli jep kushtrimin: Jemi Milani, kemi vlera. Duhet t’i shfaqim ato

Milani rifillon nga Stefano Pioli, pas një starti të sezonit për t’u harruar. Trajneri i ri kuqezi foli në konferencën për shtyp, duke shpjeguar ndikimin e tij, pas ditëve të para në pankinën e “Djallit”: "Metoda ime e punës është e vëmendshme ndaj detajeve, nga rimëkëmbja deri tek ushqimi. Të gjitha kanë vlerë, për të na sjellë avantazhe në fushë, për të maksimizuar potencialin tonë. Prisja të gjeja vëmendjen dhe disponueshmërinë e lojtarëve dhe kështu ka ndodhur. Gjëja më e rëndësishme do të jetë performanca e nesërme, duhet të tregojmë se kemi ide të qarta".

Trajneri kuqezi iu kërkon të gjithëve të shfaqin cilësitë e tyre: “Këtu ka njerëz, që e kanë Milanin në zemrat e tyre, ekipi duhet të luajë së bashku. Unë jam i sigurt për potencialin e madh të këtushëm dhe mund të bëjmë një punë të mirë. Piatek? Nuk më pëlqen të flas për individë të veçantë, por për skuadrën. Sidoqoftë, kam besim të madh tek ai. Nëse jemi te Milani, kjo do të thotë që kemi vlera. Tani është koha për t’i shfaqur ato". 

Pioli nuk ka asnjë të dhënë për formacionin startues kundër Lecce: “Zakonisht, kur luajmë në mbrëmje, unë ua komunikoj formacionin djemve në të njëjtin mëngjes. Sot do të jetë dita vendimtare për të kuptuar se cili do të luajë nga fillimi. Duhet të përballojmë një kundërshtar të vështirë, po punojmë për këtë. Nesër do të kuptoj karakteristikat teknike, fizike dhe karakterin e lojtarëve dhe do të vendos për formacionin".

Pasi ka trajnuar Interin, shansi i dytë i madh arrin po nga Milano për Pioli, i cili shpjegon vendimin e marrë ditët e fundit: “Kam ardhur në një klub prestigjioz, me një histori të shkëlqyer. Është nder dhe krenari të jesh këtu. Ndihem i gatshëm të drejtoj në këto nivele, besoj se kam pjekurinë e duhur”.

Trajneri kuqezi përqendrohet te disa individë, nga pikëpamja taktike dhe mentale: "Leao është më shumë një sulmues qendror për momentin, me perspektivë të rëndësishme. Unë mendoj se Calhanoglu duhet shfrytëzuar më shumë si gjysmësulmues, por mund të luajë edhe më mbrapa. Unë e kam parë mirë, ai mund të jetë efektiv në të dyja rolet. Rebic? Unë e kam stërvitur atë, është rritur shumë. Tani është futur më shumë në frymën e Milanit, lojtar me karakter”.

(Kosova Sot Online)