Barcelona dhe Real Madridi në pritje, Federata s’vendos për El Clasico

  • 22 October 2019 - 09:23
Barcelona dhe Real Madridi në pritje, Federata s’vendos për El Clasico

Federata Mbretërore e Futbollit e Spanjës (RFEF) nuk ka arritur ta marrë vendimin përfundimtar për datën e re të përballjes mes Barcelonës dhe Real Madridit, që fillimisht ishte planifikuar të zhvillohet më 26 tetor.

Shtyrja e “El Clasicos” së parë të këtij sezoni është konfirmuar edhe nga Federata Mbretërore e Futbollit e Spanjës, për shkak të situatës së tensionuar në Katalonjë dhe protestave të paralajmëruara.

Një protestë e madhe është planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor – pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Tensionet në regjionin katalonas janë ndezur nga vendimi kontrovers i gjykatës spanjolle për t’i burgosur disa liderë politikë të lëvizjes për pavarësimin e Katalonjës nga Spanja dhe për rolin e tyre në referendumin e mbajtur për këtë çështje në vitin 2017.

Gjatë ditëve të fundit, rrugët e Barcelonës dhe zonat përreth janë goditur nga protestat e vazhdueshme dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Spanjë.

E gjitha kjo situatë ka bërë që Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës ta kërkojë shtyrjen e ndeshjes, kërkesë që të dyja klubet e kanë pranuar dhe ato janë pajtuar që ndeshja të zhvillohet më 18 dhjetor.

Megjithatë, La Liga insiston se ndeshja duhet të zhvillohet më 4 dhjetor dhe Federata Mbretërore e Futbollit e Spanjës u ka dhënë kohë klubeve të përgjigjen deri të martën, sot, në orën 20:00.

“Komiteti i Garave i Federatës së Futbollit të Spanjës do të jetë në kontakt sërish me Barcelonën dhe Real Madridin të martën pasi që e ka marrë deklaratën e La Ligës për datën e re të El Clasicos, që fillimisht u planifikua të zhvillohet më 26 tetor, por u shty për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme”.

“Klubet do të kenë afat kohor të përgjigjen deri në orën 20:00 të martën dhe Komiteti i Garave duhet të takohet pastaj sërish për t’i shqyrtuar përgjigjet e tyre”.

Barcelona do të përballet me Slavia Praguen në Ligën e Kampionëve këtë javë, ndërsa Real Madridi do të përballet me Galatasarayn.

(Kosova Sot Online )