Arsyeja pse La Liga s’dëshiron që El Clasico të luhet më 18 dhjetor

  • 22 October 2019 - 11:05
Arsyeja pse La Liga s’dëshiron që El Clasico të luhet më 18 dhjetor

La Liga e ka kundërshtuar propozimin e Barcelonës dhe Real Madridit për ta zhvilluar “El Clasicon” e parë të sezonit më 18 dhjetor, e mërkurë, pasi që ndeshja e planifikuar të zhvillohet më 26 tetor është shtyrë.

Një protestë e madhe është planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor – pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Tensionet në regjionin katalonas janë ndezur nga vendimi kontrovers i gjykatës spanjolle për t’i burgosur disa liderë politikë të lëvizjes për pavarësimin e Katalonjës nga Spanja dhe për rolin e tyre në referendumin e mbajtur për këtë çështje në vitin 2017.

E gjitha kjo situatë ka bërë që Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës (RFEF) ta kërkojë shtyrjen e ndeshjes, kërkesë që të dyja klubet e kanë pranuar dhe ato janë pajtuar që ndeshja të zhvillohet më 18 dhjetor.

Megjithatë, La Liga i dërgoi dy letra në RFEF të hënën, duke kërkuar që ndeshja të mos zhvillohet më 18 dhjetor. Kjo ka bërë që Komiteti i Garave t’u kërkojë Barcelonës dhe Real Madridit të pajtohen për një datë tjetër.

Në letrën e parë të dërguar nga La Liga sugjerohej që El Clasico të zhvillohej më 4 dhjetor sepse në atë ditë nuk do të zhvillohet asnjë garë tjetër, pasi që La Liga dhe RFEF e kishin lënë 4 dhjetorin e lirë në rast se do të duhej të ndryshohej orari i ndonjë ndeshjeje.

Në letrën e dytë thuhej se nëse El Clasico zhvillohet më 18 dhjetor, ajo do të bie ndesh me të drejtat televizive për Kupën e Botës së Klubeve, pasi që gjysmëfinalja e Liverpoolit do të mbahet në të njëjtën ditë. 

(Kosova Sot Online)