Ish-lojtari i Çekisë paralajmëron tifozët para përballjes me Kosovën

  • 22 October 2019 - 14:13
Ish-lojtari i Çekisë paralajmëron tifozët para përballjes me Kosovën

Ish-futbollisti i Kombëtares së Çekisë, Libor Sionko, i ka paralajmëruar tifozët çekë që të mos bëjnë thirrje politike kundër Kosovës apo çkado tjetër të ngjashme gjatë ndeshjes mes dy Kombëtareve në nëntor sepse mund ta rrezikojnë kualifikimin në EURO 2020.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Tifozët çekë kishin planifikuar të lëshonin mesazhe politike kundër Kosovës përmes një droni gjatë ndeshjes së shtatorit mes dy Kombëtareve në Prishtinë, të cilën Dardanët e fituan 2:1 ndaj Çekisë, por u parandaluan nga policia e vendit.

Policia e Kosovës i arrestoi shtatë tifozë cekë, përfshirë një serb, para se t’i lironte brenda ditës pasi i kishte intervistuar, gjobitur dhe ua kishte konfiskuar disa pajisje të ndryshme.

Tani, Federata e Çekisë vlerëson se kjo ndeshje përbën rrezik prandaj ka marrë një seri masash, përfshirë ndryshimin e mënyrë së shitjes së biletave. Fillimisht ishte planifikuar që biletat të shiten online prej 17 tetorit, pastaj u vendos që ato të shiten vetëm fizikisht prej 23 tetorit.

Megjithatë, tani, një ditë para se të fillojë shitja e biletave, Federata çeke e ka ndryshuar sërish sistemin. Tifozët do të mundë t’i blejnë biletat në zyrat e stadiumit ose mund t’i rezervojnë ato online e t’i marrin pastaj në zyre të stadiumit ose përmes postës.

“Ne vetëm menduam t’i ndërmarrin këto masa të jashtëzakonshme sigurimi në mënyrë që ta mbrojmë çdo lojtar që do të jetë në atë fushë”, ka thënë Sionko.

“Por, edhe për ta përjashtuar mundësinë që të ndikohet negativisht tentimi i Çekisë për t’u kualifikuar në EURO 2020.  Kjo mund të na ndodhë nëse ka tifozë të cilët duan ta përdorin këtë ndeshje për protesta politika dhe ne mund të ndëshkohemi për sjelljen e tyre”.

“Në emër të ekipit kombëtar, ne besojmë se tifozët çekë do ta kuptojnë këtë tentim të Federatës së Futbollit”. 

(Kosova Sot Online)