Rikthehet Championsi, interesant në Grupin A

  • 22 October 2019 - 15:06
Rikthehet Championsi, interesant në Grupin A

Sonte do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së tretë të fazës së grupeve në Champions League. Interesant pritet të jetë në Grupin A, ku Reali e kërkon fitoren e parë në Turqi ndaj Galatasarayt.

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së tretë në Grupet A, B, C e D.

Duele interesante pritet të ketë në secilin grup, por fokusi do të jetë mbi të gjitha në Grupin A.

Real Madridi do ta vizitojë Galatasarayn në Stamboll në kërkim të fitores së parë.

Në rast të dështimit eventual të “Los Blancos”, trajneri Zinedine Zidane do të shkarkohet nga pozita e tij.

Ndërkohë, Paris Saint-Germaini llogarit në fitoren e tretë në këtë grup pas vizitës që do t’ia bëjë Club Brugge në Belgjikë.

Në Grupin B, nënkampioni evropian Tottenham po ashtu e kërkon këndelljen dhe fitoren e parë në duel me Crvena Zvezdën.

Ndërkaq, Bayern Munichu shihet si favorit ndaj Olympiacosit, në kërkim të fitores së tretë.

Në Grupin C, Manchester City llogarit në tri pikët e reja kundër Atalantës, ndërsa interesante pritet të jetë sfida në mes të Shakhtar Donetsk ndaj Dinamo Zagreb.

E në Grupin D, Atletico Madridi do ta kërkojë fitoren e dytë në ballafaqim me Bayer Leverkusenin.

Të njëjtën gjë do ta kërkojë edhe Juventusi, i cili do të ketë punë me Lokomotiv Moskën.

Duelet e Grupeve E,F,G e H do të luhen nesër mbrëma. 

(Kosova Sot Online)