Modrici zbulon se shpërtheu në lot kur e mori vesh se është fituesi i Topit të Artë

  • 22 October 2019 - 15:15
Modrici zbulon se shpërtheu në lot kur e mori vesh se është fituesi i Topit të Artë

Mesfushori i Real Madridit, Luka Modric, nuk kishte ditur se si të reagonte kur e zbuloi se ai do të ishte fituesi i Topit të Artë vitin e kaluar. Në gjendje paniku, ai nuk ishte përgjigjur në telefon, kur France Football e telefonoi për t’i treguar se i kishte fituar votat.

Lista prej 30 kandidatëve për Topin e Artë këtë vit u publikua dje. Në mesin e lojtarëve të përfshirë ishin edhe favoritët si Lionel Messi, Virgil Van Dijk dhe Cristiano Ronaldo, ndërsa Neymari ishte mungesa më e dukshme.

Në këtë listë nuk është përfshirë as Luka Modrici, i cili një vit më parë arriti t’i japë fund dominimit dhjetëvjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në këtë çmim.

“Isha në Londër me bashkëshorten time dhe ne ishim në një dhomë hoteli”, sqaroi Modrici në një intervistë të dhënë për France Football për momentin kur ai e kishte marrë vesh se ishte fituesi.

“Unë e pashë telefonatën dhe nuk u përgjigja. I thashë bashkëshortes time: “Drejtori i France Football më ka telefonuar, çfarë duhet të bëj?””.

“Kur e pashë se ai po më telefononte, isha aq i emocionuar dhe i stresuar. Nuk doja të nxitohesha, por doja të përgatitesha për atë që do t’i them. Pastaj ai më telefonoi sërish dhe më tha se kam fituar”.

“Nuk isha 100 për qind i sigurt se çfarë po ndodhte, por ishte një ndjenjë e mrekullueshme dhe unë fillova të qaj. Ai është një moment që nuk do ta harroj kurrë”.

Real Madridi i ka dy lojtarë të nominuar për Topin e Artë këtë vit – Karim Benzemën dhe Eden Hazardin.

(Kosova Sot Online)