Feronikeli u kthehet fitoreve

  • 22 October 2019 - 16:08
Feronikeli u kthehet fitoreve

Pas disfatave kundër Llapit e Gjilanit dhe barazimit kundër Trepçës ’89, Feronikeli iu kthye fitoreve sot në ndeshjen kundër klubit në pozitën e fundit në tabelë, Vushtrrisë, ndeshje kjo që përfundoi me epërsi minimale 1:0 për drenicasit falë një goli në minutat e fundit të ndeshjes.

Ndeshja e parë e xhiros së 11-të të Ipko Superligës së Kosovës, mes Vushtrrisë dhe Feronikelit, që nisi sot në orën 14:00 në stadiumin “Fekri Aliu” në Vushtrri, u mbyll me epërsi minimale të mysafirëve.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli e nisi ndeshjen më mirë, duke i pasur disa raste të mira gjatë pjesës së parë për të kaluar në epërsi, mirëpo Kastriot Rexha, Milos Krkotic dhe Astrit Fazliu u treguan të pasaktë para portës së kundërshtarit.

Ndërsa, në pjesën e dytë të ndeshjes dominuan vendasit e megjithatë as ata s’arritën ta gjejnë golin e fitores, përkundër rasteve të mira që i patën Qëndrim Gashi, Bashkim Shala dhe Jasmin Raboshta.

Kastriot Rexha ishte afër ta gjejë golin e fitores për Feronikelin rreth 15 minuta para fundit të ndeshjes, kur e bëri një goditje në stil akrobatik, mirëpo topi shkoi pak mbi portë.

Dy trajnerët i shfrytëzuan mundësitë për t’i zëvendësuar lojtarët në fund të ndeshjes, në tentim për ta gjetur një gol në momentet e fundit. Këtë synim e arriti Feronikeli me golin e shënuar nga Besmir Bojku në minutën e tretë të kohës shtesë.

Me këtë fitore, Feronikeli ngrihet në pozitën e pestë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës – me 19 pikë të fituara nga 11 ndeshjet e para – mirëpo ata priten të bien më poshtë në tabelë pasi të zhvillohet ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje.

Në anën tjetër, Vushtrria mbetet edhe më tutje në pozitën e fundit në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës, me gjashtë pikë të fituara nga 11 ndeshjet e para.

Pesë ndeshjet e tjera të xhiros së 11-të të Ipko Superligës së Kosovës do të zhvillohen gjatë dy ditëve në vijim.


(Kosova Sot Online)