Kujt i thotë Xhaka: Ki kujdes çfarë thua!

  • 22 October 2019 - 17:58
Kujt i thotë Xhaka: Ki kujdes çfarë thua!

Granit Xhaka ka reaguar ndaj kritikëve të skuadrës së tij, Arsenal, e në veçanti kundër Patrice Evras, ish-mbrojtësit të rivalit Manchester United, duke theksuar se francezi është duke e tepruar me fjalë prandaj duhet të ketë kujdes çfarë thotë.

Arsenali e humbi mundësinë për t’u ngjitur në pozitën e tretë në Premierligë të hënën, sepse u mund 1:0 nga Sheffield United, dhe si pasojë kritikat ndaj mesfushorit të saj shqiptar, Xhakës, dhe bashkëlojtarëve të tij u shtuan.

Humbja e mbrëmshme – ku u vunë në pah përsëri dështimet e njëjta – ishte e pesta në 10 ndeshjet e topçinjve në udhëtim në ligë.

Ish-mbrojtësi i majtë i Unitedit Evra e kritikoi mentalitetin e skuadrës së Arsenalit pas kësaj paraqitje, duke i quajtur foshnje lojtarët e saj.

Pas ndeshjes, Xhaka tha: “Duhet të ndalen këto broçkulla për fuqinë mendore. Për mua është njëjtë, qoftë në shtëpi apo në udhëtim, duhet të fitosh dhe të tregosh karakter dhe lojë të mirë dhe jo gjithmonë të gjesh arsyetime.”

Ndërsa, duke iu përgjigjur kritikave të Evras, përfaqësuesi i Zvicrës tha: “Shumë njerëz e teprojnë duke folur. Nuk është hera e parë që ai thotë diçka për ne”.

“Kam shumë respekt për të sepse ka qenë lojtar i madh, ama duhet të ketë kujdes çfarë thotë”, shtoi Xhaka. 


(Kosova Sot Online)