Hazardi dështoi para portës së hapur, reagon ashpër Zidane

  • 23 tetor 2019 - 08:57
Hazardi dështoi para portës së hapur, reagon ashpër  Zidane

Zinedine Zidane insiston se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për formën e Eden Hazardit, pasi belgu e pati një paraqitje zhgënjyese në fitoren me rezultat 1:0 të Real Madridit kundër Galatasarayt, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Integrimi i Eden Hazardit në skuadrën e Real Madridit s’ka qenë aq i shpejtë sa mund të kenë shpresuar dy palët, pas transferimit të tij nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës.

Përderisa problemet me lëndime e kanë pasur një ndikim në formën e Hazardit në fillim të karrierës në “Santiago Bernabeu”, paraqitjet e tij kanë lënë shumë për të dëshiruar, pasi që ai e ka shënuar vetëm një gol në shtatë paraqitjet në të gjitha garat.

Ai mund ta kishte përmirësuar këtë statistikë të paktën për një gol në ndeshjen e së martës kundër Galatasrayt në Stamboll, mirëpo dështoi para portës së hapur gjatë pjesës së dytë, përkundër që bëri mirë duke e kaluar portierin Fernando Muslera.

“Nuk më shqetëson mua. Ai është më i mirë tani dhe do të vazhdojë të përmirësohet edhe më shumë”, ka thënë Zidane.

“Gjëja më e rëndësishme është se ai duhet të vazhdojë të bëjë raste të tilla të mira sepse do t’i shënojë”.

Një tjetër belg shumë i kritikuar në Real Madrid është portieri Thibaut Courtois, megjithatë ai mbrëmë e pati një paraqitje mbresëlënëse, duke fituar kështu lëvdata nga trajneri i tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Ai qartësisht na shpëtoi në pjesën e parë të ndeshjes. Ne jemi të lumtur për të dhe për të gjithë skuadrën – ai pati nevojë për një paraqitje të tillë. Ai na i mundësoi t’i marrim tri pikët”, shtoi Zidane për Courtois.

“Ka gjithmonë shumë kritika kur ne humbim, por sot fituam, luajtëm me personalitet dhe lojtarët e merituan fitoren”.

Fitorja bën që Real Madridi të radhitet i dyti në Grupin A, pesë pikë prapa Paris Saint-Germainit, që i ka fituar të gjitha tri ndeshjes e zhvilluara deri më tani. 

(Kosova Sot Online )