Ferdinand lavdëron Sterlingun: Njëri ndër pesë lojtar më të mirë në botë

  • 23 October 2019 - 09:31
Ferdinand lavdëron Sterlingun: Njëri ndër pesë lojtar më të mirë në botë

Ish-qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, beson se Raheem Sterlingu i Manchester Cityt është në mesin e pesë lojtarëve më të mirë në botë për momentin.

24-vjeçari Raheem Sterling e shënoi het-trikun e tij të parë në Ligën e Kampionëve në fitoren 5:1 të Manchester Cityt kundër Atalantas, duke e vazhduar kështu rekordin e përsosur këtë sezon në Evropë.

Sterlingu veçse i ka shënuar gjashtë gola në këtë sezon të Premierligës dhe Ferdinandi nuk ka asnjë dyshim se ai është njëri ndër më të mirë në botë, bazuar në formën aktuale.

“Po na mbarojnë fjalët e mira për t’i thënë për të. Ai është një lojtar i ri anglez që tashmë ka shumë përvojë. Ai është ende duke u përmirësuar. E ka nuhatjen e një qendërsulmuesi për t’u vendosur në pozita të mira”, ka thënë Ferdinand.

“Ai është në mesin e top pesë futbollistëve më të mirë në botë për momentin. Nuk më intereson se kë ma përmendni. Efekti që ai e ka, golat që i shënon… është e pamundur ta lësh atë jashtë skuadrës”.

Sulmuesi anësor anglez kohën e fundit është bërë i njohur si njëri ndër talentet më të mëdha në botën e futbollit, pasi ka shkëlqyer me Manchester Cityn dhe me ekipin kombëtar të Anglisë.

Që kur ai ka qenë duke u stërvitur nga Pep Guardiolan te Manchester City, saktësia e tij para portës kundërshtarë është përmirësuar dhe Sterlingu ka arritur t’i shënojë 48 gola gjatë dy sezoneve të fundit.

Deri më tani në këtë sezon, ai i ka shtuar edhe nëntë gola në rekordin e tij personal, duke u ndihmuar “Tre Luanëve” në rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020, mirëpo ai nuk e konsideron veten në standardin e dy yjeve të Barcelonës dhe Juventusit.

“Messi është unik. Nëse unë arrij t’i shënoj nga 50 apo 60 gola në vit për 15 sezonet e ardhshme, atëherë ti mund të më krahasosh me ata dy – për momentin, mos më fol për Messin apo Ronaldon!”, ka thënë Sterling në një intervistë të dhënë për FourFourTwo.

“Unë nuk dua të dëgjoj krahasime të tilla. Unë nuk po them se nuk e vlerësoj veten, por ata dy djem kanë qenë në atë nivel që 15 vjet. Kjo është e pabesueshme: 40, 50, 60 gola për 15 vjet”.

Skuadra e Pep Guardiolës tani do ta presë Aston Villan në Premierligë të shtunën, në tentim për ta zvogëluar epërsinë e Liverpoolit prej gjashtë pikësh në kreun e tabelës.

(Kosova Sot Online)