Kundërshtarja e Kosovës për EURO 2020, Bullgaria, ndërron trajnerin

  • 23 October 2019 - 12:07
Kundërshtarja e Kosovës për EURO 2020, Bullgaria, ndërron trajnerin

Bordi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Bullgarisë ka vendosur ta emërojë Georgi Dermenzhievin në pozitën e trajnerit të ekipit kombëtar të Bullgarisë, që është kundërshtare e Kosovës në Grupin A të kualifikimeve për EURO 2020.

Pas skandalit të thirrjeve raciste të tifozëve bullgarë ndaj lojtarëve me ngjyrë në Kombëtaren e Anglisë në ndeshjen 14 tetorit, Krasimir Balakov dha dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares së Bullgarisë.

Në vend të tij është emëruar ish-futbollisti bullgar Georgi Demenzhiev, i cili do ta udhëheqë Kombëtaren e tij në ndeshjen kundër Republikës Çeke në ndeshjen e 17 nëntorit, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Ross Barkley dhe Raheem Sterlingu i shënuan nga dy gola për t’i ndihmuar skuadrës së Gareth Southgate t’u kthehet fitoreve kundër Bullgarisë javën e kaluar, pas disfatës 2:1 kundër Çekisë.

Por, ndeshja u la nën hije nga thirrjet raciste të tifozëve të Bullgarisë drejt disa lojtarëve të Anglisë. Ky incident u raportua te zyrtaret e ndeshjes dhe ndeshja u ndal dy herë para se të përfundonte pjesa e parë.

Para ndeshjes, Balakov e akuzoi Anglinë se ka problem më të madh me racizmin në futboll sesa vendi i tij dhe ai vazhdoi me të njëjtën qëndrim edhe pas ndeshjes, duke thënë se s’kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste dhe se kishin qenë tifozët anglezët ata që kishin shfaqur “sjellje të pahijshme”.

Deklaratë të ngjashme me Balakovin bëri edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhaylov, i cili pastaj u detyrua të japë dorëheqje nga posti i tij. Para se të jepte dorëheqje, Balakov kishte kërkuar falje.

“Unë i dënoj të gjitha format racizmit si sjellje të papranueshme, që është në kundërshtim me marrëdhëniet normale njerëzore. Mendoj se kjo formë e paragjykimit duhet të groposet thellë në të kaluarën tonë dhe askush nuk duhet të vuajë nga kjo më”, shkroi Balakov në Facebook.

“Unë i kam stërvitur shumë skuadra bullgare me lojtarë të origjinave të ndryshme dhe asnjëherë s’e kam gjykuar askënd në bazë të ngjyrës së lëkurës së tyre. Për më tepër, unë gjithmonë kam qenë aktiv në iniciativat e tilla”.

“Komentet e mia para ndeshjes kundër Anglisë se Bullgaria nuk ka problem me racizmin ishin të bazuara në faktin se në kampionatin lokal nuk shohim probleme të nivelit të tillë”.

“Mund të ketë pasur raste individuale , mirëpo kjo nuk është diçka që e shohim në stadiume. Shumica e tifozëve nuk u bashkuan në ato thirrje dhe unë besoj se ky ishte rasti edhe me ndeshjen kundër Anglisë”. 

(Kosova Sot Online)