Mourinho, favorit për ta zëvendësuar Favren në Dortmund

  • 23 October 2019 - 13:13
Mourinho, favorit për ta zëvendësuar Favren në Dortmund

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, raportohet se është njëri ndër pretendentët favoritë për ta zënë postin e trajnerit të Borussia Dortmundit, nëse këta të fundit vendosin ta shkarkojnë Lucien Favren.

Portugezi 56-vjeçar u shkarkua nga posti i trajnerit në Old Trafford sezonin e kaluar dhe ai vazhdimisht është shfaqur si analist i futbollit në emisionet televizive të Sky Sports.

Megjithatë, “The Special One” (shqip: “I veçanti”) e ka pranuar se ai dëshiron të kthehet edhe një herë në pozitën e trajnerit të ndonjë skuadre dhe se është duke e pritur sfidën e duhur.

Sipas gazetës gjermane, Bild, Mourinho është favoriti për ta marrë postin e trajnerit të Dortmundit, nëse gjiganti gjerman vendos ta shkarkojë Favren nga klubi.

Gazeta pretendon se ish-trajneri i Real Madridit dhe Chelsea ka qenë duke e mësuar gjuhën gjermane dhe e ka synim ta flasë rrjedhshëm këtë gjuhë.

Mourinhos, i cili ka qenë gjithashtu i lidhur për postin e trajnerit të Real Madridit, i pëlqen mundësia për ta provuar edhe Bundesligën si trajner dhe Dortmundi dëshiron t’i japë fund dominimit të Bayern Munichut në ligën gjermane.

Përderisa Dortmundi nuk e ka urgjente për ta shkarkuar Favren nga posti i tij, hierarkia e klubit e ka Mourinhon opsion favorit.

(Kosova Sot Online)