Pogba dhe De Gea mungojnë në stërvitjet e Man Unitedit

  • 23 October 2019 - 14:19
Pogba dhe De Gea mungojnë në stërvitjet e Man Unitedit

Paul Pogba dhe David de Gea kanë munguar në seancën stërvitore të së mërkurës, para se skuadra e Manchester Unitedi të udhëtojë në Beograd të Serbisë për ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Partizanit.

Fituesi i Kupës së Botës Paul Pogba nuk ka luajtur në asnjë ndeshje që nga 30 shtatori, kur e lëndoi shputën e këmbës, megjithatë mediat britanike kishin raportuar se ai mund të jetë gati për përballjen në Serbi.

David De Gea u kthye për përballjen e Manchester Unitedit me Liverpoolin në fundjavë, që përfundoi me rezultat 1;1, mirëpo ai nuk ishte pjesë e skuadrës që u stërvit sot në kampin stërvitor të Manchester Unitedit, Carrington.

Luke Shaw, Nemanja Matic, Diogo Dalot dhe Axel Tuanzebe gjithashtu munguan në këtë stërvitje. Që të katërt kishin qenë jashtë skuadrës edhe për ndeshjen kundër djemve të Jurgen Kloppit në Old Trafford.

Është e paqartë se kur Pogba do të kthehet në skuadër, përkundër që Ole Gunnar Solskjaer do të shpresojë ta ketë atë në sërish në skuadër sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi “Djajtë e kuq” i pret një ndeshje si mysafirë kundër Norwichit, pas ndeshjes të së enjtes në Beograd.

Anthony Martial është një tjetër lojtar që pritet të jetë jashtë ndeshjen kundër Partizanit, pasi që francezi vetëm sa është kthyer nga lëndimi i tij dhe Solskjaer nuk dëshiron ta rrezikojë atë.

(Kosova Sot Online)