Kosova synon medalje në Grand Slam “Abu Dhabi 2019”, merr pjesë me katër garues

  • 23 October 2019 - 16:55
Kosova synon medalje në Grand Slam “Abu Dhabi 2019”, merr pjesë me katër garues

Kosova do të përfaqësohet nga katër xhudistë në Grand Slam “Abu Dhabi 2019” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka e Akil Gjakova synojnë medalje në këtë kompeticion, në rrugëtimin e tyre për kualifikim në Olimpiadën e Tokios. Garat fillojnë nesër dhe do të mbyllen të shtunën

Xhudistët kosovarë do të marrin pjesë në garën prestigjioze Grand Slam “Abu Dhabi 2019” në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kosova do të marrë pjesë në këtë eveniment me katër garues: Majlinda Kelmendi (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg).

Garat do të nisin nesër dhe do të mbyllen të shtunën.

Xhudistët kosovarë janë mjaft të motivuar dhe synojnë të fitojnë medalje në këtë Grand Slam, i cili është stacioni i radhës në rrugën e gjatë drejt Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”.

Majlinda dhe Nora garojnë nesër, Akili të premten, ndërsa Loriana të shtunën.

Majlinda në meçin e parë takohet me garuesen nga Bregu i Fildishtë, Salimata Fofana.

Nora në rrethin e parë takohet me garuesen serbe, Marica Perisic.

Kurse, Akili në meçin e parë takohet me fituesin e duelit ndërmjet garuesit nga Arabia Saudite, Andulelah Albali dhe garuesit nga India, Nilesh Balhara.

E Loriana në rrethin e parë takohet me garuesen nga Uzbekistani, Nodira Yuldasheva.

Bashkë me garuesit, prezentë në Abu Dhabi janë edhe trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka.

Në këtë kompeticion po marrin 550 garues nga 5 kontinente, respektivisht nga 95 shtete.

Meçet fillojnë në orën 07:00 me kohën lokale të Kosovës, ndërsa finalet do të zhvillohen nga ora 15:00.

Image

(Kosova Sot Online)