Lojtarët e Man Unitedit, të përgatitur për incidente raciste në Beograd

  • 24 October 2019 - 13:59
Lojtarët e Man Unitedit, të përgatitur për incidente raciste në Beograd

Klubi serb Partizan, që do të përballet sonte me Manchester Unitedin, veçse është ndëshkuar nga UEFA këtë sezon për thirrje raciste nga ana e tifozëve dhe Manchester Unitedi është përgatitur për incidente të tilla.

Harry Maguire shpreson se Manchester Unitedi nuk do të përjetojë incidente raciste sonte në Beograd, ashtu siç kishte ndodhur kur lojtarët anglezë udhëtuar në Bullgari së fundi, mirëpo shtoi se ata janë përgatitur për ta ndjekur protokollin e UEFA-s.

Ndeshja mes Manchester Unitedit dhe Partizanit, në kuadër të Grupit L të Ligës së Evropës, vjen pasi ekipi kombëtar i Serbisë u ndëshkua me dy ndeshje pa tifozë në stadium, pas incidenteve raciste në ndeshjen kundër Portugalisë në shtator.

Maguire luajti në fitoren me rezultat 6:0 të Anglisë kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, në fillim të këtij muaji. Ajo ndeshje ishte ndalur dy herë gjatë pjesës së parë pasi tifozët bullgarë kishin bërë thirrje raciste ndaj anglezëve.

Ato ndërprerje ishin pjesë e protokollit me trehapësh të UEFA-s, sipas të cilin ndeshja fillimisht duhet të ndalet për t’u kërkuar tifozëve të mos diskriminojnë, pastaj të ndalet ndeshja për pak minuta e më vonë mund të braktiset e gjithë ndeshja.

Por, Maguire beson se ndeshja në Beograd do të kalojë pa ndonjë incident të madh.

“Ne do t’i besojmë UEFA-s ta ndjekë protokollin e vet. Në Sofje e patëm një përvojë neveritëse dhe nuk dua të jem pjesë e diçkaje të atillë sërish”, tha Maguire në një konferencë për shtyp.

“Ne besojmë se do të kemi atmosferë pozitive në këtë ndeshje. Mirëpo, nëse diçka shkon keq, ne do ta ndjekim protokollin trehapësh të UEFA-s”.

Edhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer i konfirmoi ato që i tha Maguire dhe tha se beson që UEFA do ta implementojë protokollin e vet nëse dëgjohen thirrje raciste.

“Pas asaj që ndodhi në Bullgari, ne e patëm një takim me djemtë dhe e kemi diskutuar protokollin. Beson në mirësinë e njerëzve dhe se atmosfera do të jetë fantastike. Ne i besojmë UEFA-s dhe shpresojmë se ndeshja do të jetë manifestim i futbollit të mirë”, tha Solskjaer. 

(Kosova Sot Online)