Juventusi i mbështet lojtarët turq për përshëndetjet ushtarake në fushë

  • 24 October 2019 - 14:22
Juventusi i mbështet lojtarët turq për përshëndetjet ushtarake në fushë

Pas takimit të drejtuesve të Juventusit në stadiumin “Allianz”, zëvendëspresidenti i klubit, Pavel Nevded, bëri të ditur se klubi italian s’i vlerëson si shkelje etike përshëndetje ushtarake të futbollistëve nga Turqia.

Futbollisti Merih Demiral kishte marrë pjesë në përshëndetjet ushtarake që i bënë lojtarët e Kombëtares së Turqisë në ndeshjet e tetorit – kundër Shqipërisë dhe Francës – në shenjë mbështetjeje për presidentin e vendit, Recep Tayyip Erdoganin, lidhur me sulmet ushtarake të Turqisë në Siri.

“Unë isha ai që fola me Demiralin sepse të gjithë e kanë lirinë e shprehjes dhe ne dëshiruam ta kuptojmë pikëpamjen e tij”, tha Nevded.

“Vendimi u mor nga e gjithë skuadra. Ne duhet të presim për të parë se çfarë do të thonë organet kompetente dhe do ta respektojmë atë vendim, por veprimi i tij nuk përbën shkelje etike për ne”.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA – që ndalon çfarëdo sjellje apo deklarate publike në stadiumet e futbollit – e ka hapur një hetim kundër Turqisë, pasi lojtarët e ekipit të saj kombëtar bënë përshëndetje ushtarake në mbështetje të ushtarëve turq në dy ndeshjet e tyre kualifikuese për Euro 2020 kundër Shqipërisë dhe Francës javën e kaluar.

Forcat turke e kanë nisur një sulm kundër kurdëve më 9 tetor në Siri, menjëherë pasi SHBA-ja i tërhoqi trupat ushtarake nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë. Të enjten e kaluar, palët u pajtuan për një armëpushim pesëditorë, pas kritikave të ashpra që Turqia i mori nga e gjithë bota.

Turqit gjithandej në futboll janë përfshirë në gjeste politike dhe mbështetje për ushtarët e vendit të tyre.

Klubi gjerman St Pauli e mori një vendim drastik javë më parë, duke e larguar njërin prej lojtarëve të vet, Cenk Sahin, pasi ai e kishte postuar një mesazh përkrahës për ushtrinë turke në rrjetet sociale.

“Ne jemi në anën e ushtrisë sonë heroike. Lutemi për ju!”, kishte shkruar Sahin në Instagram, duke e nxitur St Paulin ta përzë nga klubi. 

(Kosova Sot Online)