Maldini: Berluskoni ka qenë presidenti më i mirë i Milanit

  • 25 October 2019 - 21:10
Maldini: Berluskoni ka qenë presidenti më i mirë i Milanit

Milani po kalon një formë aspak të mirë këtë fillim sezoni, teksa në 8 ndeshje të zhvilluara kuqezinjtë kanë grumbulluar vetëm 10 pikë.

Pikërisht kjo formë e dobët e “Djallit” i ka bërë tifozët të ngrenë dyshime, nëse projekti i pronarëve amerikan, është serioz apo jo.

Për këtë ka folur edhe një nga legjendat e klubit, siç është Paolo Maldini, i cili tashmë ka rolin e drejtuesit te kuqezinjtë.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Maldini ka thënë se kanë pasur probleme, por premton se është një projekt serioz për rikthimin e Milanit. 

“Fakti që unë dhe Boban jemi këtu, dëshmon se ne nuk duam të kthehemi në nivele të larta për 10-15 vjet, por ne duam të rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse pronarët do të kishin planifikuar të vazhdonin 12 vjet si një ekip mesatar, sigurisht që ne nuk do të kishim pranuar të vinim këtu.

Momenti aktual është delikat. Tre ndryshime të pronësisë nuk i kanë bërë aspak mirë këtij klubi, përkundrazi e kanë minuar. Ndryshimi i trajnerit gjithashtu nuk ishte diçka e mirë, por ishte një vendim i marrë nga të gjithë personat në klub.

Ne trashëguam një klub me një deficit prej 125 milionë eurosh, dhe u dënuam për keq menaxhimin e mëparshëm. Morëm edhe një gjobë prej 12 milionë eurosh.

Berluskoni? Ai ka qenë presidenti më i mirë që unë mund të kisha ndonjëherë, gjithmonë do ta dua atë”, u shpreh Maldini.

(Kosova Sot Online)