Conte: Sanchez na “prishi” planet

  • 25 October 2019 - 22:42
Conte: Sanchez na “prishi” planet

Pas fitores së vuajtur, por me mjaft vlera ndaj Borussias së Dortmundit, Interi do të rikthehet të luajë për kampionat, teksa nesër në orën 18:00 do të përballet me Parmën në “San Siro”.

Trajneri i zikaltërve Antonio Conte doli sot në konferencën për shtyp, ku shmangu polemikat me Agnellin dhe foli për merkaton, ndërsa kërkoi përqendrim maksimal, për të marrë maksimumin ndaj emilianëve.

A mendoni se skuadra ka nevojë për përforcime në sulm?
Ne i kishim bërë saktë llogaritë, me Sanchez, Lukakun dhe Lautaron si sulmues të parë, shto këtu edhe Politanon, që më herët kishte luajtur si sulmues i dytë, ndërsa Espozito duhej të ishte sulmuesi i pestë në listë. Megjithatë dëmtimi i Sanchez na komplikoi situatën, por para se të mendojmë për situatën, duhet të shohim si do të ecë rikuperimi i Alexis. Për detaje të mëtejshme duhet të flisni edhe me drejtuesit.

Si është gjendja e të dëmtuarve? Cili prej tyre mund të rikuperohet për nesër?
Kemi edhe një seancë stërvitore për të bërë vlerësimet, por është një moment i rëndësishëm, ku duhet të bëjmë shumë kujdes për të marrë rezultatet, por edhe për të mos rrezikuar me dëmtime afatgjata. 

Cili nga mesfushorët mund të luajë para mbrojtjes, përveç Brozoviç?
Mund të luajnë si Sensi, ashtu edhe Borja Valero, por Stefano lëviz mirë mes linjave, jep pasimin e fundit dhe është më i rrezikshëm kur luan më i avancuar, ndaj kam preferuar Brozon aty. Marselo na jep shumë garanci, por ai e di që unë jam shumë kërkues dhe dua që të përmirësohet për të qenë më i miri në botë në rolin e tij, në të gjitha drejtimet.

Juve vazhdon të bëjë mirë…
Duhet të jemi të zotë që të mos shohim punët e të tjerëve, por të përqendrohemi vetëm te puna jonë dhe ecuria që po krijojmë, Por nëse duhet të shikojmë, atëherë më mirë të hedhim sytë te ata që janë përpara nesh dhe të kemi më shumë stimuj për t’u përmirësuar.

De Vrij vazhdon të rritet në rolin e ri dhe së fundi është shndërruar në njeriun asist…
Stefan është pak a shumë si Bonucci kur isha te Juve, që duhet bashkë me mesfushorin para mbrojtjes, të marrin në zotërim hapësirat që lirohen për të ndërtuar lojën. Megjithatë unë e kam thënë që treshja e mbrojtjes janë organizatorët tanë të parë dhe mos harroni që ndaj Udineses asistin e dha Godin.

Çfarë duhet të përmirësojë konkretisht Brozoviç? A mund të shndërrohet në një Pirlo?
Mund të përmirësohet më shumë me vertikalizimet, me pasimin e fundit dhe veçanërisht me aspektin difensiv. Pirlo është një lojtar që do kujtohet ndër vite, ndërsa Brozo ka karakteristika të ndryshme, por punon shumë dhe është një zbulim interesant në atë rol.

Agoume mund të bëjë të njëjtën rrugë si Pogba?
Është një mesfushor mjaft i mirë, por duhet të bëjë edhe një hap përpara, pasi vjen nga një vend tjetër dhe duhet të kuptojë që në Itali jemi shumë kërkues ndaj taktikës. Megjithatë unë e kam aktivizuar Pogbanë vetëm dy muaj pasi erdhi te të rinjtë e Juves dhe kishte vetëm 18 vjeç. Në sektorin e të rinjve të Interit bëhet një punë shumë e mirë dhe unë nëse shoh që ka diçka interesante, nuk ngurroj t’u jap rastin.

(Kosova Sot Online)