Man City fiton dhe shton presionin te Liverpooli, +3 diferenca

  • 26 October 2019 - 15:33
Man City fiton dhe shton presionin te Liverpooli, +3 diferenca

Manchester City e ka mposhtur 3-0 Aston Villën, duke iu afruar në tri pikë Liverpoolit. City tani ka 22 pikë, Liverpooli me një ndeshje më pak 25.

Manchester City i Pep Guardiolës ka vazhduar me fitore në Premierligë.

Në xhiron e 10-të, kampionët e Anglisë e mundën në shtëpi Aston Villën, duke shënuar tre gola dhe duke mos pranuar asnjë.

Të gjithë golat u realizuan në pjesën e dytë.

Raheem Sterling e zhbllokoi rezultatin me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 46-të, duke shënuar për 1-0.

Pak minuta më vonë, në atë të 65-të, golin e gjeti edhe David Silva, edhe pse duket se nuk e ka prekur topin e dërguar në zonë nga Kevin de Bruyne, gol që u desh të konfirmohet me VAR.

Sido që të jetë, e rëndësishme për vendasit ishte se shkuan në 2-0, duke gjetur golin e qetësisë ndërsa për rezultatin përfundimtar 3-0, realizoi Ilkay Gundogan, në minutën e 70-të.

Në këtë ndeshje Fernandinho u përjashtua me të kuq, pasi në minutën e 87-të u ndëshkua me të dytin të verdhë.

Kjo fitore e dërgon Manchester Cityn në pozitën e dytë në renditjen e Premierligës me 22 pikë të grumbulluara, tri më pak se Liverpooli që të dielën pret në “Anfield” Tottenhamin.

(Kosova Sot Online)