Legjenda italiane: Ibrahimovic ka frikë të rikthehet në Serie A

  • 27 October 2019 - 09:23
Legjenda italiane: Ibrahimovic ka frikë të rikthehet në Serie A

Drejtori i Milanit, Paolo Maldini, beson se frika mund t’ia parandalojë Zlatan Ibrahimovicit rikthimin në Serie A.

Kontrata e superyllit suedez Ibrahimovic me LA Galaxy do të mbarojë në fund të këtij viti, prandaj është përfolur bujshëm së fundmi se ish-sulmuesi i Juventusit, Interitt dhe Milani, mund të rikthehet në Itali.

Ibrahimovic, skuadra e të cilit u eliminua nga play-off në MLS pas humbjes ndaj Los Angeles FC, pretendon se mund t’i shënojë 20 gola në sezon në Serie A, duke i nxitur thashethemet për një kalim të mundshëm të tij në Napoli, Inter apo Bologna.

Tani flitet se ai mund të përfundojë në Milan, klubin i cili po ka vështirësi me shënimin e golave, por legjenda italiane Maldini dyshon se 38-vjeçari mund të rikthehet në Itali.

“Rikthimi i Ibrës do të ishte ëndërr për shumë arsye, por mendoj se në mendjen e tij ekziston një frikë se ai nuk do të jetë ai Ibra i vjetër dominues”, tha Maldini për Sky Sport Italia.

“Mbaj mend kur (ish-trajneri i Milanit) Carlo Ancelotti më vuri në bankën e rezervistëve për një ndeshje derbi dhe aty e kuptova se nuk mund ta pranoja një sezon të tillë. Nuk e di nëse Ibra do ta pranonte një gjë të tillë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)