Tri skuadra zvicerane në garë për Shkëlzen Gashin

  • 27 October 2019 - 12:29
Tri skuadra zvicerane në garë për Shkëlzen Gashin

Shkëlzen Gashi po i rikthehet futbollit dhe do të ketë për të një rikthim në futbollin zviceran.

Sulmuesi shqiptar nuk është i angazhuar me ndonjë skuadër që nga muaji mars kur edhe prishi kontratën me klubin amerikan Colorado Rapids.

31-vjeçari kishte oferta edhe në verë, por që i refuzoi pasi është ende duke marrë pagë nga klubi amerikan dhe këtë gjë do ta bëjë deri më 31 dhjetor.

Nga 1 janari i vitit 2020, Gashi do të mund të angazhohet me ndonjë skuadër tjetër dhe ai duket se ka vendosur përfundimisht të rikthehet në Zvicër.

Mediat zvicerane kanë raportuar se tre është numri i ekipeve zvicerane që po ‘luftojnë’ për t’i fituar shërbimet e shqiptarit.

Dy ish-skuadrat e tij Grasshopper dhe Aarau janë favorite për të nënshkruar me Gashin, por në lojë fuqishëm është edhe Laussane.

Asnjëra nga skuadrat që po e duan ish-reprezentuesin e Shqipërisë nuk janë pjesë e Superligës.

Gashi preferon rikthimin në Grasshopper ose Aarau, por fillimisht po pret një skuadër nga elita e futbollit zviceran.

Klinasi u ka bërë të qartë skuadrave që e duan se nuk do të nënshkruajë kontratë më të vogël se tre vjeçare.

Gjithsesi vlen të theksohet se Gashi qëndroi në MLS te Colorado Rapid për tre sezone.

(Kosova Sot Online)