Man Unitedi gjen zëvendësuesin për Pogban

  • 29 October 2019 - 10:15
Man Unitedi gjen zëvendësuesin për Pogban

Manchester Unitedi është interesuar për dyshen franceze, Boubakary Soumare dhe Moussa Dembele. Të parin, drejtuesit e “Djajve të kuq” e shohin si zëvendësues të mundshëm për Paul Pogban.

Boubakary Soumare, 20-vjeçar, e ka pëfaqësuar Kombëtaren e Francës në grupmosha dhe luan për Lille. Ai është ndjekur nga shumë klube evropiane gjatë kohës së fundit, përfshirë këtu edhe Manchester Unitedin, shkruan ESPN.

Por, “Djajtë e kuq” janë tani gati të bëjnë ofertë për francezin në mënyrë që t’i sigurojnë shërbimet e tij para klubeve të tjera. Klubi ka dërguar disa skautë nëpër ndeshjet e tij këtë sezon, përfshirë kundër Valencias javën e kaluar në Ligën e Kampionëve, ku ai ishte mbresëlënës në barazimin 1:1.

Manchester Unitedi e sheh Soumaren si trashëgimtar potencial të Paul Pogbas në mesfushë, pasi që të dy lojtarët kanë karakteristika të ngjashme. Pasi që e ardhmja e Pogbas në Old Trafford mbetet e paqartë, Soumare është njëri ndër prioritetet e klubit tani.

Megjithatë, Manchester Unitedi nuk është duke kërkuar ta zëvendësojë Pogban menjëherë, pasi që ai ka edhe tre vjet në kontratën e tij në Old Trafford. Por, Soumare i përshtatet filozofisë së transferimeve të fundit të klubit, pasi që është i ri dhe i talentuar dhe vlerësohet 35 deri në 40 milionë euro.

Përveç Soumares, Manchester Unitedi është interesuar edhe për rekrutimin e Moussa Dembeles, të cilin klubi e ka monitoruar që një kohë të gjatë, edhe kur ai ishte në Fulham dhe Celtic. 

(Kosova Sot Online )